Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe sot, vendi ynë ka vijuar me kushte të paqëndrueshme atmosferike. Vranësirat kanë qenë dominuese në të gjithë vendin por më të dendura në zonat bregdetare si edhe veriperëndim duke rrezikuar shira të dobët.
Po ashtu edhe pasditja ka vijuar me të njëjtat kushte meteorologjike ku vranësirat kanë mbizotëruar në pjesën më të madhe të vendit sërish veriperëndimi dhe bregdeti i Adriatikut janë rrezikuar nga shira të izoluar. Në mbrëmje dhe gjatë natës shirat do të shtrihen në të gjithë vendin por intensiteti i tyre nuk do të jetë i lartë.
Për sa i përket situatës termike, temperaturat e ajrit kanë pësuar rritje të lehtë në vlerat minimale.
Era ka fryrë me shpejtësi 35 km/h dhe drejtim verior- veriperëndimor, kjo ka bërë që dallgëzimi në det të jetë 2 ballë.
Europa
Masat ajrore të ftohta me origjinë nga deti i Veriut janë pozicionur në veri dhe perëndim të kontinentit ndërsa masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë oqeanike janë vendosur në Europën Qendrore duke u shtrirë deri në Rajonin e Mesdheut. Konkretisht në vendet Nordike dhe në Ishujt Britanike janë dominuar nga vranësirat dhe reshjet e shiut dhe dëborës. Dëborë të dendur ka patur në pjesët jugore të Suedisë dhe Norvegjisë e cila është shoqëruar me stuhi të forta ere. Gjithashtu në kushtet e motit të paqëndrueshëm ka mbetur Europa Qendrore dhe një pjesë e Rajonit të Mesdheut. Ku problematike situata është paraqitur në Francë dhe në Gjermani pasi reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë zgjatur gjatë gjithë ditës. Ndërsa gjatë pasdites vranësirat dhe shirat e dobët janë zhvendosur edhe në Pellgun e Mesdheut. Problematike në këto vende është paraqitur forcimi i erës e cila ka bërë që në detin Adriatik dallgëzimi të jetë i lartë. Ndërsa në pjesën tjetër të kontinentit Europian ka mbizotëruar moti i kthjellët.
a.y/NOA