English

Shqipëria 48 orë në Zi Kombëtare, e Diela për nder të të urtit Sabri Godo

Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA – Ende pa u mbyllur një ditënatë Zie Kombëtare Shqipëria do të gdhihet të dielën në një tjetër ditë Zie Kombëtare, këtë herë për nder të të urtit të politikës, politikanit, shkrimtarit dhe historianit të njohur Sabri Godo, i cili ndërroi jetë sot në moshën 82-vjeçare, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ndërsa lajmi i vdekjes së politikanit Godo erdhi pikërisht pak momente pas dhënies së lamtumirës së fundit Trashëgimtarit të Fronit Mbretëror Shqiptar, të birit të Mbretit Ahmet Zog, Leka Zog i Parë, Qeveria shpalli pak momente më parë edhe të Dielën, Ditë Zie Kombëtare.

Të dielën, pra në 4 dhjetor të gjithë flamujt kombëtarë në të gjitha institucionet shtetërore do të qëndrojnë rishtaz në gjysmë shtizë, ndërkohë që në drekë do të zhvillohen homazhet e lamtumirës në nder të shkrimtarit Sabri Godo, dhe në orën 14.30 do të mbahet në të të gjithë vendin një minutë heshtje ndërsa televizioni publik do të transmetojë muzikë funebre.

Këshilli i Ministrave jep detajet për homazhet e nesërme dhe tërë protokollin që do të ndiqet për të nderuar politikanin e mençur Sabri Godo.

Vendimi i plotë i qeverisë:

Këshilli i Ministrave për të nderuar kujtimin e të ndjerit Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar, shpall zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4.12.2011.

V E N D I M

PËR

SHPALLJEN ZI KOMBËTARE DHE PËR ORGANIZIMIN E CEREMONISË FUNEBRE ZYRTARE, NË NDERIM TË TË NDJERIT, Z.SABRI GODO, SHKRIMTAR DHE POLITIKAN I SHQUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikave 8 e 11, të kreu VII, të Ceremonialit Zyrtar, të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, z.Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.

2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje.

3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

4. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre.

5. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KOMENTE
  • Mari Anna19:16 - 03 Dhjetor 2011
    do jeni gjithmone i paharruar Z.SABRI GODO!rruge te mbare ne udhetimin tuaj te fundit..!!