English

Siria, OKB paralajmëron krizën e radhës

Siri, 3 dhjetor 2011, NOA - Për shkak të dhunës së ashpër në Siri, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, ka paralajmëruar ndaj rrezikut të një lufte civile. Përballë shtypjes së përgjakshme të protestave të opozitës nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad, anëtarët e instancës së OKB-së në Gjenevë ranë dakord për caktimin e një hetuesi të posaçëm.

Në rezolutë i bëhet thirrje regjimit të Assadit të ndërpresë menjëherë të gjitha sulmet ndaj civilëve. Përfaqësuesi i Gjermanisë në Këshill, Hans Heinrich Schumacher, deklaroi: "Një sinjal i qartë është izolimi masiv i sirinavë, edhe në rajonin e tyre. Ne u bëjmë thirrje të bashkëpunojnë me Këshillin për të Drejtat e Njeriut (...). Nëse jo, ne presim që me këtë të merret Këshilli i Sigurimit."

Rezoluta përkatëse u mbështet nga 37 prej 47 anëtarëve të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ndër to bënin pjesë edhe shtete të Ligës Arabe, por jo Kina dhe Rusia.

Komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay, i bëri thirrje sërish Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, të angazhojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale për Sirinë. Komisionerja tha, se zyra e saj ka informacione të besueshme, se që prej fillimit të protestave para tetë muajsh janë vrarë shumë më tepër se 4.000 vetë.

a.k/NOA

KOMENTE