Tiranë 3 dhjetor 2011, NOA – Teksa shqiptarët përcillnin për në banesën e fundit pretendentin për fronin mbretëror, rastësia bëri që në të njëjtën ditë të merrnin lajmin e vdekjes së republikanit më të flaktë. Leka Zogu I dhe Sabri Godo nuk do të jenë më mes shqiptarëve të gjallë duke marrë me vete një pjesë të historisë.
Pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu u largua vetëm dy ditë pas lindjes nga Shqipëria. E gjithë jeta e tij do të rridhte mes Europës dhe Afrikës duke kërkuar mundësinë për tu kthyer në Shqipëri. Mbështeti lëvizjet sporadike anti-komuniste në disaporë për të kthyer monarkinë, por gjatë komunizmit vendi kishte harruar mbretin, siç kishte harruar të ndërtonte edhe republikën. U kthye vetëm në perëndim të jetës së tij, duke plotësuar një ëndërr, por jo amanetin për monarkinë.
Sabri Godo braktisi shkollën kur ishte ende fëmijë për të luftuar kundër pushtuese në Jug të Vendit, e më pas do të shkonte në Kosovë dhe në Jugosllavi. Si gjithë të rinjtë ëndërroi për krjimin e një vendi pa pushtues, pa mbret dhe besoi te komunizmi. Tek ai komunizëm që disa vite më pas do e ndëshkonte njëlloj si shumë prej të tjerë. Pas viteve ’90 do të jetë një nga zërat kryesor të simboleve republikane, hartues i Kushtetues dhe i pari që hodhi idenë e krijimit të një senati. Një institucion që do të ishte baza kryesore e republikës dhe që të do shmangte sherret e ditës së politikës shqiptare. Asnjë herë nuk e pranoi monarkinë, por asnjë herë nuk i mungoi respekti për historinë që ajo la pas dhe për pasardhësit e saj, duke kërkuar gjithmonë respektin e republikës. Tek e fundit nuk mund të ishte ndryshe, një nga politikanët dhe intelektualët më të moderuar të politikës shqiptare të 20 viteve të fundit.
Leka Zogu pretendenti për fronin mbretëror u varros me ceremoni shtetërore, ndërsa sot republika do të bëjë homazhe mbi simbolin e republikës Sabri Godo. Një pjesë e historisë ikën bashkë me ta duke lënë kujtimin e dy njerëzve që mund të ndaheshin në shumë ç’ka, por bashkoheshin në një pikë; dhanë pjesën më të madhe të jetës së tyre për ta bërë këtë vend më të mirë. Secili sipas mënyrës së tij.
a.k/NOA
Në foto: Presidenti i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo dhe Pretendenti për Fronin Mbretëror, Leka Zogu I