Tiranë, 3 dhjetor 2011, NOA- Kryeministri i vendit Sali Berisha ka ngushëlluar familjarët e politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos i cili u nda nga jeta mesditën e sotme në moshën 82 vjeçare.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, në mesazhin drejtuar familjes së të ndjerit dhe Partisë Republikane, Kryeministri Berisha shprehet se, “Lajmi i ndarjes nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, politikanit të urtë dhe të mençur, themeluesit të Partisë Republikane në Shqipëri, shkrimtarit të shquar dhe mikut tim, Sabri Godo, është një humbje e madhe për ju, politikën dhe letrat e Shqipërisë”.
Sipas tij, Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, që dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve.
Sakaq ai thekson se, me mjeshtërinë e tij të madhe, talentin e rrallë, ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme.
Berisha e përmbyll mesazhin e tij të ngushëllimit me fjalët, “Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”.
a.y/NOA