Tiranë 4 dhjetor 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha tha sot në Durrës se nuk e ka lexuar librin e Ramës. I pyetur nga studentët për akuzat ndaj tij në librin “Kurban”, Berisha u shpreh se nuk e ka lexuar librin pasi ai është shkruar në modelin e kujtimeve të ish-komunizmit. Ai u ndal në trajtimin e figurës së Fatos Nano, duke kujtuar se Rama e trajton në të njëjtën mënyrë si Enve Hoxha kundërshtarët.
“Nano ka qenë kundërshtari im më kryesor. Unë dhe ai jemi dy kampe, por mënyra sesi e përshkruan Nanon absolutisht është mënyrë më primitive, që është identike si ajo e Enver Hoxhës për Haxhi Lleshin apo Zoi Fundon, apo ndonjë tjetër. Unë e ndihmova të rrëzonte Nanon. Harron ai që sheshet e Mjafti i mbushte PD. Punoi më mua për rrëzimin e tij”, tha Berisha.
Ai u shpreh se për librin “Kurban” ka “ndjekur mediat, shtypin e shkruar dhe lexuar shumë paragrafë dhe pasazhe të tij. Si rregull nuk lexoj memorie, kam një koncept timin për memorien, kjo nuk më ka penguar që ta lexoje. Libri është përgënjeshtruar, sepse autori ka harruar që janë me qindra dëshmitarë që i njohin ngjarjet”.
Berisha shtoi se në libër Rama nuk flet për disfatat dhe dejonizon ish-bashkëpunëtorët.
“Rama ka regjistruar në politikë zinxhirin më të gjatë të gjatë të disfatave. Nuk ka analizuar disfatat, të gjithë kanë disfata në politikë. Por rezulton që nuk është marrë aspak me analizën e tyre, ç’ka do të më interesonte. Në politikë je i detyruar të analizosh fitoren dhe humbjen”, tha Berisha.
Ai ka theksuar se nga momentet e Bashkëpunimit më Ngjelën dhe Zogajn kujton momentet më të mira dhe jo si Rama që sjell vetëm vështrime negative.
“Se kam lexuar, se nga pasazhet botuara rezulton se ai operon në mënyrën më të vjetër me armikun e brendshëm. Kjo është e papranueshme për njeriun e lirë. Gjatë 20 viteve unë kam pasur dhe kam bashkëpunëtorë, që janë ose sot nuk janë dhe kanë kaluar në kampet e tjera. Po marrë Spartak Ngjelën dhe Preç Zogjaj. Do të rrëfejë ndonjë gjë intime. Se herë që bie fjala për ta memoria ime kujton momentet e bashkëpunimit me ta. Sa herë bie fjala për avokatin, unë kujtoj fushatën tij kur e mundi z. Rama” u shpreh Berisha.