Qëllimi i Konkluzioneve të Dakorduara të IBM-it është që, ende pa u zbatuar ato, kështu siç janë në letër t’i prezantohen Gjermanisë në mënyrë që Kancelarja Merkel dhe Ministri i Jashtëm Westerwelle ta ndërrojnë mendjen lidhur me dhënien e Serbisë statusin e shtetit kandidat për BE...
Nga Visar Ymeri
...Gjermania po mban qëndrim shumë më parimor dhe më të ashpër karshi Serbisë sesa vetë Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet këtyre bisedimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës po ia asfalton rrugën Serbisë drejt BE-së. Kryeministri Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Tahiri janë treguar më shumë se të gatshëm që t’i ndihmojnë Serbisë e cila vazhdimisht po na dëmton neve.
Me avancimin e Serbisë drejt BE-së, më vonë, do ta pësojnë të gjitha shtetet që nuk i do Serbia, pra jo vetëm Kosova por edhe Shqipëria. Për ta ruajtur pushtetin më të korruptuar në rajon Kryeministri Thaçi po e sakrifikon jo vetëm Kosovën por po e cënon edhe Shqipërinë.
Duke thënë që “Njëra palë e njeh vijën si kufi; pala tjetër e njeh vijën si kufi administrativ.” Njihet mosnjohja e kufirit të Kosovës së pavarur nga Serbia dhe mosnjohja e BE-së gjithnjë e më shumë po lidhet edhe me mosnjohjen e Serbisë përveçse me pesë shtet e BE-së që nuk na e njohin pavarësinë.
Fjalia “Njëra palë e njeh vijën si kufi; pala tjetër e njeh vijën si kufi administrativ.” E cila tingëllon që secila palë le ta quajë si të dojë vijën kufitare është mashtruese. Sepse, në tekstin në vijim, në përputhje me qëndrimin e Serbisë për kufirin e Kosovës si kufi administrativ dhe jo kufi ndërshtetëror, pikat kufitare nuk quhet të tilla por emërton pika kaluese. Pra:
Kufi ndërshtetëror => Pika kufitare
Kufi administrativ => Pika kaluese
Kjo s’mund të quhet IBM por IMCP: menaxhim i integruar i pikave kaluese dhe jo i kufirit ashtu siç bëjnë vendet e BE-së dhe siç e kërkon Traktati i Lisbonës.
Instalimi i “objekteve të përbashkëta dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet” me Serbinë, për Kosovën paraqet heqje të kufirit të saj si shtet i pavarur. Në vend se këto objekteve të përbashkëta në vendkalime që s’njihen si pika kufitare në vijën që s’njihet si kufi ndërshtetëror të bëhen me Shqipërinë, Qeveria e Kosovës po i bën me Serbinë.
Zyrtarët e Kosovës në këto objekte të përbashkëta do ta fshehin Republikën e Kosovës dhe nuk do të ekspozojnë asgjë që shenjon apo tregon se Kosova është shtet i pavarur. Arsyetimet e Qeverisë se as Serbia nuk do t’i paraqesë shenjat e saj zyrtare janë të pavlefshme: Kosova është shtet i ri që ka nevojë të njihet e të duket, ndërkohë që Serbia e cila ka edhe ulëse në OKB s’ka nevoja të tilla. Njëkohësisht, kjo do të thotë që Kosova mund t’ia shfaq Republikën e saj Shqipërisë dhe shteteve që na kanë njohur por jo edhe Serbisë kundrejt së cilën Republika e pavarur e fiton kuptimin e plotë.
Për më keq, në secilin nga gjashtë vendkalimet, jo vetëm në ato dyja në veri, do të ndodhet edhe EULEX-i, pra edhe një instancë tjetër që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur përveçse Serbisë.
Po ashtu, grupi trepalësh implementues që do të formohet për zbatimin e këtyre marrëveshjeve (siç quhen këto në pikën 7, pra jo vetëm konkluzione), do të ketë dy palë që nuk e pranojnë shtetin e pavarur të Kosovës dhe madje do të kryesohet nga një palë që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës – BE-ja.
Për të gjitha këto që përmendëm më lart, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të nisë me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të paraqitur mocionin e mosbesimit për kryeministrin Hashim Thaçi. Gjithashtu, në javët në vijim, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë tubime me qytetarë, aksione protestuese por edhe demonstrata kundër këtyre marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë që Kosovës po ia tretin Republikën e Serbisë po ia shtrojnë rrugën drejt BE-së.
Dërguar nga autori, pjesëtar i Vetëvendosje!