Bon, 4 dhjetor 2011, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin në qytetin Bon të Gjermanisë.
Ky aktivitet i rëndësishëm, që do të nisë të hënën në 5 dhjetor, do të mbahet në nivelin e Ministrave të Punëve të Jashtme dhe do të mbledhë së bashku partnerët ndërkombëtarë, që janë politikisht dhe ushtarakisht aktivë në Afganistan, si edhe një seri organizatash ndërkombëtare.
Konferenca me temë “Nga Tranzicioni në Transformim”, që organizohet nga shteti gjerman do të kryesohet nga Hamid Karzai, President i Republikës Islamike të Afganistanit.
Kjo konferencë mbahet 10 vjet pas Konferencës së Petersbergut, me synim kryesor mobilizimin e mëtejshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare për mbështetjen e së ardhmes së Afganistanit.
Konferenca e Bonit pason Konferencën e Londrës, e mbajtur në janar 2010 dhe Konferencën e Kabulit mbajtur në 20 korrik 2010.
Konferenca e Bonit zhvillohet në një kohë vendimtare për angazhimin e mëtejshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare në Afganistan, kur kjo e fundit po ia kalon gradualisht përgjegjësitë e procesit të sigurisë, Qeverisë Afgane.
Ky proces, ashtu siç është vendosur në Samitin e NATO-s në Lisbonë, është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit 2014.
NOA