Tiranë, 4 dhjetor 2011, NOA Update – Pas homazheve të mbajtura për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, historianit dhe shkrimtarit Sabri Godo, arkivoli me trupin e republikanit të urtë u ngrit nga holli i Kuvendit, dhe në mes të një kortezhi të kryesuar nga familjarët, e të vijuar më pas nga personalitete të vendit dhe qytetarë është nisur tashmë për në varrezat e Tufinës, ku plaku i urtë Godo do të prehet përgjithnjë.
Për dy orë me radhë, personalitete të vendit, trupi diplomatik dhe qytetarë të thjeshtë i dhanë lamtumirën e fundit politikanit të urtë, të cilin do ta kujtojmë për mendimin e tij të mençur dhe të respektuar në hullinë ku politika shqiptare dergjet prej vitesh në pamundësi për të arritur një pakt qytetar të bashkëpunimit politik, që edhe pse disa herë i arritur me mundim është gjithnjë i vonuar.
Politika përkulet me nderim pranë të urtit Sabri Godo
Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë përkulen me nderim pranë arkmortit të mbuluar me flamurin Kuq e Zi ku ndodhet trupi i pajetë i republikanit të mençur dhe politikanit të shquar Sabri Godo, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Pasi kanë vënë nga një shirit zie në hyrje të hollit të Kuvendit, njëri pas tjetrit, Kreu i Shtetit Bamir Topi, e pas gjysmë ore, kryeministri Sali Berisha, mandej Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë mbërritur për të bërë homazhe dhe ngushëlluar familjarët e politikanit Godo, duke lënë edhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast.
Presidenti Topi do ta cilësonte me këto fjalë humbjen e politikanit, historianit dhe shkrimtarit Sabri Godo, që u nda nga jeta në orët e drekës së të shtunës.
“Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike. Ndarja nga jeta e Sabri Godos është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju si dhe për ish-kolegët politikanë e deputetë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër e të bashkëpunojnë me të”, do të shprehej Presidenti në mesazhin e lëshuar pas ndarjes nga jeta të plakut të mençur Godo.
Ndërsa Kryeministri, i cili mbrëmë ngushëlloi edhe familjarët në shtëpi do të shprehej kështu:
“Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme. Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”, u shpreh kryeministri.
Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, që themeloi në vitin 1991 Partinë Republikane, të cilën e drejtoi për tetë vjet, dhe më pas e kryesoi si President Nderi, zhvilluan edhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi, më herët ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi, një delegacion nga Partia Socialiste i kryesuar nga Kreu i Grupit Kuvendor socialist Gramoz Ruçi, deputetë të Partisë Demokratike, e ambasadorët e SHBA-ve, OSBE-së, dhe BE-së në Tiranë, si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, shkrimtarë, e personalitete të jetës publike, por edhe qytetarë të thjeshtë.
Homazhe në nderim të Sabri Godos kreu lideri i BDI-së Ali Ahmeti apo edhe Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Dje, zoti Basha e cilësoi politikanin dhe shkrimtarin Sabri Godo, si një ikonë të mençurisë qytetare.
Sabri Godo ndërroi jetë të shtunën në moshën 82-vjeçare.
mit/NOA