English

Maqedonia nuk ndryshon enciklopedinë

Shkup, (MAQEDONI) 4 dhjetor 2011, NOA - Drejtuesit e ekipit të ri shkencor në Maqedoni kanë theksuar se nuk do të ketë enciklopedi të re, e cila do të zëvendësoj enciklopedinë e mëparshme e cila fyente shqiptarët.

Redaksia e re e formuar për të nisur punimet për hartimin e Enciklopedisë së re të Maqedonisë, ka ngecur me aktivitetet dhe është bllokuar puna e saj.

Hartimi i Enciklopedisë së re ishte një përpjekje për të zëvendësuar dhe nxjerrë nga përdorimi enciklopedinë e vitit 2009, e cila u publikua me përmbajtje fyese dhe shtrembëruese për historinë e shqiptarëve dhe për angazhimin e misioneve të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni dhe Ballkan.

Kryeredaktori për hartimin e Enciklopedisë së re, Mitko Maxhunkov deklaroi se nuk do të bëhet enciklopedi e re, për shkak se sipas tij nuk ka mjete të nevojshme dhe janë arsye të ndryshme. “Ekziston një marrëveshje e heshtur se tani nuk është koha për diçka të tillë. Nuk i di arsyet. Vendimi i redaksisë së re është që të bëhet enciklopedi e re, dhe kjo do të bëhet një ditë, por nuk e dijë se kur”, theksoi Maxhunkov.

Nga ana tjetër, hartuesi i Enciklopedisë Maqedonase, akademiku Bllazhe Ristovski thekson se projekti për enciklopedi të re është i dështuar, ashtu sikur siç ka dështuar sipas tij, edhe redaksia e sapoformuar. “Redaksia dështoi, anëtarët shqiptarë u larguan, pasi që vendosnin kushtëzime për tu treguar se janë zotëra të këtij vendi, si autoktonë. Prej atëherë qëllimi i tyre për enciklopedi është në pikën e vdekur dhe nuk shpresoj se projekti i tyre do të ringjallet. Gjithashtu nuk janë siguruar edhe para edhe për vitin e ardhshëm”, theksoi Ristovski.

Dy anëtarët shqiptarë të redaksisë së re, akademiku Alajdin Abazi dhe Ali Aliu janë dorëhequr përkohësisht nga redaksia, duke shfaqur mospajtimet dhe mosmarrëveshjet e tyre që nga titullimi dhe përmbajtja e temave që duhet trajtuar me projekt-propozimin për Enciklopedinë e re. ASHAM javën e kaluar zgjodhi për kryetar akademik Vllado Kambovski dhe kryesinë e re.

NOA/INA

KOMENTE