Nga Sokol Balla Ditën kur “zyrtarisht” Leka Zogu mbylli sytë, televizionet ishin në garë për të ritransmetuar intervistat me të. Të etur për një garë me të vdekurit, më shumë se Leka i lodhur, i sfilitur, i sëmurë dhe pothuajse i palexueshëm, ishin protagonistë gazetarët. Ndonjë që nuk e kishte mendjen, se kur bënte pyetjen shihte nga xhami i librarisë mbretërore, për të parë si i rrinte kollarja, e ndonjë tjetër, që, po ashtu si Leka (i sëmurë, i sfilitur ama), ishte po aq i palexueshëm në shqipen e pyetjeve të tij.
Përjashtim bëri Ora News. Armir Shkurti, nxori nga arkivi i tij i vjetër i vitit 1997 një prej intervistave më të shkëlqyera marrë pretendentit për fron. Aty një Lekë i fuqishëm, gjithë energji – burrë “king”, me një fjalë si i thonë tironsit, e që me siguri ka lidhje të vjetër me shprehjen angleze “looking royal” – shpaloste thjesht, me pak fjalë, si e mendonte ai Shqipërinë nën drejtimin e monarkisë. “Do t’i jap fund luftës partiake”. “Do çojmë mësuesit në male e do t’i paguajmë më mirë, se të qytetit, që të çojmë diturinë thellë në zonat malore”. Dhe pyetjes dinake të Armirit (“Po me të varfrit ç‘do bëni?”), ai iu përgjigj dyfish: Me një buzëqeshje, çka la të kuptohet se e kuptoi dinakërinë, si dhe me fjalët e thjeshta: “Ne, nuk premtojmë gjëra që nuk i mbajmë, por do mundohemi të hapim sa më shumë vende pune për ta.” Fjalë të bukura, të thjeshta, që në fakt kaq shumë i mungojnë politikës sonë sot. Ajo që nuk i mungon është lufta partiake. Atë që Leka donte ta shuante, por nuk e bëri dot.
Leka Zogu ikën sot, me shumë pengje mbi supe. Nuk besoj se është vetëm pengu për varrin e t’et, që shteti shqiptar republikano-popullor ia shkatërroi, por shteti republikano-demokratik nuk ia restauroi kurrë. Leka Zogu ikën me pengun e madh se ai mbeti deri në fund një figurë kontroversiale e keqkuptuar brenda dhe e respektuar më shumë jashtë. E keqkuptuar, se asnjëherë me naivitetin e tij të natyrshëm, nuk pranoi se shqiptarët mund ta përdornin atë për qëllimet e tyre meskine. Që në vitin 1993, kur ishte aq naiv, sa mbërriti në Rinas dhe u tregoi policëve pasaportën me stemën “Mbretnija Shqiptare”, më 1997, kur në deskun e emigracionit, nuk kishte asnjë shpirt të gjallë, e jo më oficerë të shtetit, e deri në vitin 2002, kur me sinqeritet solli me vete një depo të tërë armësh, se besoi se një mbret kurrë s’mund të kalojë në metal detector. Atëherë në Rinas veç të tjerëve e priti dhe shpura familjare e zëvendëskryeministrit, por as kjo nuk e shpëtoi nga kontrollet dhe nga përdorimi i radhës që iu bë atij. Mesa duket, keqkuptimi i Lekës kishte një “curse” që lidhej me kufijtë e vendit të tij. Që i la një ditë pasi lindi, e një ditë para se Shqipëria të pushtohej nga ish-miqtë e pabesë të t’et, i cili po me sinqeritet nuk kishte besuar se do të sulmohej, ditët e para të lehonisë së bashkëshortes së tij.
Në fakt nuk ishte mallkim, por një keqkuptim. Një keqkuptim i madh i Mbretit Fëmijë me Shqipërinë. Ai gjithmonë mendonte se kufijtë përcaktonin atdheun e tij, por në fakt kufijtë i ruajnë qeveritë. Të cilat ndahen në qeveri që punojnë për vendin e tyre, dhe qeveri që punojnë për veten e tyre. Këtë Leka nuk e kuptoi kurrë. Ose më saktë nuk deshi kurrë ta kuptonte. Leka donte Shqipërinë dhe shqiptarët. Kufijtë për të ishin konvencione. Ndërsa për qeveritë me të cilat ai u ndesh në Rinas, kufijtë shtetërorë ishin shenja arrogante të pushtetit. Se për qeveritë që nuk e lanë të shkelte atdheun, ose e poshtëruan me kontrolle me qen antidrogë, Leka ishte rreziku eminent për pushtetin e tyre. Por Leka donte vetëm fronin e t’et, pasi besonte sinqerisht se kishte gjak mbretëror. Një tjetër keqkuptim i madh i tij: i ati në fakt ishte njeriu që shpiku Mbretin për të mbajtur pushtetin.
Por edhe këtu, Leka nuk kishte asnjë pikë faji. Ai u rrit mes legjendës së pavërtetë të Mbretërisë së tij, nga një Oborr që e ruajti me aq sa mundi nga simptomat e një jete komune. E kur nuk mundi, e la Lekën, pre të bizneseve dhe aventurave, që gjithsesi nuk arritën t’i rikthejnë atij jetën mbretërore. Shpëtimi i tij ishin dy gratë e mëdha të jetës, Mbretëresha Geraldinë, pjesa e vetme mbretërore e gjakut të tij, dhe Suzana, Vajza nga Oz, e vetmja që i kuptoi keqkuptimet e tij, por nuk e braktisi të endej i vetmuar, në ëndrrat e tij. I qëndroi pranë Mbretit Fëmijë dhe e deshi pa fund deri në fund të jetës së saj.
Sot ajo e prêt sërish besnike burrin e saj të bukur dhe crazy. Në vendin ku do takohen, sërish Leka nuk do të marrë vesh kurrë të vërtetat e zymta që la pas, sepse atje ku ai po shkon, me gjasë kanë vlerë, të vërteta të tjera shumë herë më të mëdha. Leka vdiq i keqkuptuar, por në paqe me botën e tij iluzive, që ia ngritën të tjerët, e ai vetë s’pranoi kurrë ta braktiste dhe e mbrojti, qoftë edhe me armë në dorë e uniformë ushtarake. Që me gjasë do jetë edhe qefini i trupit të tij, si sipar tragjik por burrëror i një misioni të pamundur e të papërfunduar.
Sot Shqipëria do të ketë një dëshmitar më pak të historisë së saj, e për më keq, një burrë më pak. E sot kur kjo gjindje është kthyer në specie në zhdukje, nuk na mbetet veçse të nderojmë kujtimin e Mbretit Fëmijë që nuk e kuptuam kurrë, e ndoshta nuk e deshëm asnjëherë. Se Lekës mund t’i kontestoje gjithçka, por jo dashurinë për ne dhe atdheun. Fundja, të gjitha dashuritë kështu përfundojnë: vlerën e vërtetë ia kupton vetëm kur ajo ka ikur.
Prehu në paqe Naltmadhni, se ky vend nuk bëhej edhe para se të lindje ti…!
"Mapo"