Nga Shpëtim Nazarko
I thashë dhe amerikanëve dhe europianëve atëherë... Mund edhe të na e dridhni apo të gënjeni, domethënë të më mundni, por nuk ka asnjë vlerë. Kjo Botë nuk mund të qeveriset dot më me një dorë të vetme. Nuk më dëgjuan dhe ja ku kanë rënë në ujë edhe ata vetë.
Patriarku i madh që do ta ketë emrin në librat e historisë natyrisht shumë më gjatë se Putini, Klintoni etj., po u thoshte diçka njerëzve që as i njihte dhe as nuk i kishte parë ndonjëherë. Plaku ndoshta po komentonte situatën e tanishme në Eurozonë etj., por këtë e bëri dhjetë minuta pas uljes në tavolinën e Rinasit, ku po e shoqëroj fillimisht në rolin e pritësit vetëm unë me ftuesin e tij zyrtar Rezart Taçin. Shikova në sy këtë të fundit dhe i dhashë të kuptojë se mendoja se pleqëria kish bërë të vetën.... Po sikur të kish kuptuar ç’po aludoja për të, Gorbaçovi mori gotën e ujit, piu dhe tha thjesht: “Qenka i mirë. Duhet të jetë i një mali të lartë”. Ishte e saktë, dhe në darkë vonë kur po hanim ia kujtova konstatimin mbi ujin me komentin se kish për të rrojtur gjatë dhe kot ankohej për bajpase e dhimbje zemre. Pse mendon kështu, pyeti duke qeshur. Po qe se ende nuhat “erërat” në moshën tënde, do të thotë se e ke lugatin larg...
Sekretin e “lajthitjes”në fillim të vizitës e kuptova vetëm ku po e përcillnim përsëri bashkë me Rezartin, të nesërmen, po në aeroport. Po e ngrohte dielli i mëngjesit dhe ishte i lumtur. Nuk donte të ikte dhe përmendi prapë si pa kuptim se kur kishte marrë detyrën në Moskë ishte 27 Nëntor dhe temperatura ishte minus tridhjetë gradë. Filloi të fliste për Lermontovin, Pushkinin, jo sikur po ikte, por sikur sapo kishte ardhur. E ftoi Rezartin për vizitë nga prilli andej nga Kalmykia, ku ishte stepë dhe qetësi e madhe e mund të rrije mirë.
Dje po mendoja se plaku Balzak kishte të drejtë kur thotë se edhe mbretërit nuk i lënë të rrinë vetëm me të tjerët më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, sepse tregojnë sekretet e shtetit... Kjo shpjegon arsyen pse gjenden thuajse gjithnjë në udhëtim... Gorbaçovi ishte në të njëjtin hall si dhe ata, por nga një arsye tjetër. Si njeri që i ka mbaruar me kohë punët me Universin, doli nga avioni i veshur më pa kujdes se unë, kur bredh rrugëve të Tiranës. Në darkë te “Strofulla e ariut” e thelloi hatanë, duke kënduar i vetëm për mbi një orë para një publiku normal. Natyrisht nuk po luante “thjeshtësinë e të madhit”, falsitet që në vendet tona e njohim mirë. Patriarku po reflekton gjithnjë e më shumë të qenit vetëm, jo për shkak të pleqërisë dhe mungesës së Raisës, që e përmendi më shumë se dhjetë herë brenda ditës. Po vuan mungesën e lirisë më shumë se kur ishte zot i vendit të sovjetëve dhe mbante në xhep çelësin e dhjetë mijë testave nukleare. Ende mund t’i bëjë dëm regjimit të Putinit a qeverisë, shkak që ndoshta e mban në survejim të lehtë po të qartë... Është derisa të vdesë një thesar që ka brenda vetes ca sekrete që vlejnë më shumë se çdo arkiv zyrtar shteti. E së fundmi, detyrohet të thotë ca fraza standarde në shumë seminare a vizita, për shkak të fondacionit të tij nëpër botë, një lloj shpikje që asnjëherë nuk më ka pëlqyer. E gjitha kjo ia ha lirinë në maksimum. Jam si njeri pa shtëpi, tha duke u ngritur të ikë. Një Zot e di ku gjendem dhe mund të bëhem robi yt, po me kushtin e vetëm të më gjesh. E u ngrit të ikte pas lutjes së asistentëve që i rrinin gati, po natyrisht jo për në shtëpi në Moskë, por në Gjenevë... Atje e prisnin për histori fondacioni dhe e marr me mënd pse këtu te ne u lumturua. E kishin lënë në qetësi dhe mund të fliste a të këndonte për qejf, duke lënë të mahnitur dhe të lumtur bashkëmoshatarin e tij, usta Qerimin e madh, që e shoqëroi me muzikën e tij nja një orë e ca të mirë, duke na kujtuar ne të tjerëve se ishim ca më të vegjël se dy pleqtë...
Rezarti
a kanë bërë “samarin” copë, i thashë sot Rezartit në mëngjes. “Miku” yt mendon se Gorbaçovin e ke ftuar për të shtuar naftën tënde. Televizionet dhe shtypi të kanë censuruar sa mundën dhe ku mundën. E çdo më thuash tani..
“Patronazhin” ndaj meje e kuptoj, po të analistëve fare pak. Incidenti që faktikisht më solli dëme në biznes është mbyllur e nuk dua të komentoj më. Realisht, si analist i vjetër që je, duhet ta kuptosh se po të ishte kjo histori e vërtetë, ajo nuk ndodhte mes klubit. Për shkak të detyrës, atë gazetar mund ta ngisnin shumë vetë dhe, larg qoftë, po t’i ndodhte gjë, fajin të fundit do ta gjenin tek unë. Atë mund t’ia vishnin dhjetëra njerëzve, qeverisë apo Berishës vetë. Incidenti me mua ishte një çast tragjik në klubin ku unë rrija gjithnjë dhe nuk e kisha parë kurrë të vinte aty. Pra, ishte mistrecllëk çasti shqiptarësh gjaknxehtë. Gorbaçovin, Rezarti e ftoi kur po hanim drekë me Presidentin e Federatës Botërore. Tha që do të ishte i lumtur sikur t’i sillnim në ceremoni Kasparovin apo Karpovin. Të dy kampionë të mëdhenj. Presidenti tha se do t’i binte, po të ishte e mundur, Gorbaçovin. Figura legjendare zyrtarisht është “Padroni i nderit “ i gjithë shkollave të fëmijëve në vendet e Botës që përfshihen te Federata e Shahut. Presidenti i FIDE-s e mori direkt Gorbaçovin dhe Karpovin dhe pastaj m’i kaloi në telefon që të dy. Ndoshta dhe i bindur se do të përdorja magjinë e gazetarit për ndikim. Më duket funksioni. Unë e shkrova këtë te “Panorama” dhe isha me gjak të ngrirë deri sa erdhi, pasi në të kundërt do të më etiketonin edhe mua si gënjeshtar.
Natyrisht që mendoj se Rezarti do të ishte menazher i dobët nëse nuk do ta shfrytëzonte Gorbaçovin edhe për naftë. Kjo është normale dhe nuk kuptoj pse do ishte akt mafioz akti i kundërt.
Industrialisti i vetëm i vendit, që ka kryer privatizimin më të madh në historinë e tij, është shqiptar. Edhe t’i kishte gjetur paratë te djalli, nuk do kishte asnjë problem. Po i sillte në vendin e tij dhe nuk i po çonte në arkat e Botës. Në të vërtetë e bleu me çmim më të madh se sa vlente, ndryshe do ta blinin rusët. Këtë tregoi tenderi.
Taksapaguesi po më i madh i Shqipërisë, që punëson mbi dy apo tre mijë punëtorë, nga të cilët, sipas një ministri, ka më tepër se i duhen, por nuk i pushon, duhet të luftojë papushim për të mbijetuar për një arsye të thjeshtë. Nafta e Shqipërisë del jashtë shpesh mes ndërmarrjeve të huaja që e nxjerrin atë, dhe pastaj vemë e blejmë ne me më shumë para. Humbim nja dyqind milionë euro nga kjo shaka e çmendur, një shumë që mbulon gati pensionet e gjithë vendit.
Ia vlen ta bëjmë këtë çmenduri? Si ore nuk ia vlen! Mjafton të mbajmëpastërtinë e parimeve dhe në xhehenem ky Rezarti që duket mafioz. Kur Rusia humbi grurin nja dy vjet më parë, për shkak të djegieve masive, Putini urdhëroi ndalimin e eksporteve të tij. Pse- e pyetën? Nuk mund të rible grurin tim me çmim më të lartë- u përgjigj. Reaksionari rus nuk zbaton politikën gjeniale të liberal-demokratëve apo majtistëve tanë, që diskutojnë për punë TVSH-je vezësh, qumështi etj. etj., por jo të naftës, energjisë, Telekomit, që po çojnë realisht në xhehenem Shqipërinë. Për ta mbaruar këtë propagandë “pro Rezart”, të cilit shpesh bankat tona nuk mund t’i përgjigjen dot për shkak të kapacitetit në shumat e mëdha të blerjeve jashtë të naftës po shqiptare: Moralistë, shtetarë e opozitarë, ditëzes! Merreni dhe vareni Rezartin, ua kam falur, por mos hidhni në erë Shqipërinë mes çmendurive të këtij lloji. Nafta e këtij vendi duhet të qëndrojë këtu për aq sa na duhet. Po të keni tepër, shiteni. Ndryshe, më duket më i më i drejtë dhe demokrat Putini që fut në burg Koderkovskin, se ju, edhe sikur t’u pranojnë si të ndershëm e të panjollë.
Për ta mbyllur për pak çështjen e hapur. Kampionati Botëror i shahut dhe iniciativa me klubin e Milanit për futbollin e fëmijëve, ashtu si dhe iniciativa e gjeniut të teknikës moderne të Top Channel, Dritan Hoxhës, janë ndër gjërat e bukura të këtyre njëzetë vjetëve këtu në punët e sportit dhe kulturës.
Qenëria
Termi pexhorativ i sipërm është realisht shpikje e tim eti, një fshatar me dy klasë. Tallet me mua, me përpjekjet e mia dhe të shumë të tjerëve që merren me “pulitikën e lartë”. Nuk e di, na përfytyron si ca qenër, po jo në kuptimin më të keq të kësaj fjale, ca lloje qensh që vijmë vërdallë dhe kafshojmë nga pak Atdheun e të parëve.
Çfarë thotë qenëria?- pyet me një farë përqeshje-përkëdheli dhe këtu siç thashë nuk bën dallim mes të majtëve dhe të djathtëve, apo mua vetë. Sikur më the që do të prisje Gorbaçovin, por nuk të pashë gjëkundi, tha, apo më gënjeve?
Çfarë t’i thosha. Të djathtët nuk më donin mua t’u vija bashkë me Patriarkun, të majtët nuk donin Rezartin, të cilin e censuroi dhe shtypi. E kështu u bë lëmsh e tëra. U preka thua? Natyrisht jo. Rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë kisha ftuar Andreottin për pesëvjetorin e gazetës sime “Dita Informacion” dhe njëvjetorin e Pajtimit, ku kisha dhe vetë nga pak dorë në këtë marrëveshje. Andreotti erdhi, e respektoi ftesën, po ia bënë më keq se Gorbaçovit. Nanua ishte Kryeministër, por u zhduk, se nuk kishte qejf ta priste këtë mafioz dhe faqezi... Të tjerë u kujdesën mos i shihte njeri kur ta takonin etj.
Në historinë e pritjes së Gorbaçovit doli fitues Berisha, i cili e ftoi dhe për drekë. Thua të jetë kështu? Patriarku duhej të firmoste një marrëveshje në parim me të dhe Presidentin e Federatës, Rezartin, për të futur shahun nëpër shkolla. Po a mund ta shihte dynjaja që firmosej një gjë e tillë në publik mes të treve. Pu, pu, pu! Marrëveshja vajti në xhehenem dhe ne mbetëm si gjithnjë të majtë të kulluar dhe liberal-demokratë principialë. Plakun e madh e prita unë me Rezartin dhe e përcollëm po kështu. Të tjerët morën atë që donin prej tij... Çfarë t’i them tim eti?! Ka të drejtë, me termin e tij përkëdhelës “e mo çfarë thotë qenëria”.
"Mapo"