SHBA, 4 dhjetor 2011, NOA -Filmi i ri “My Week with Marilyn” tregon historinë e një jave në jetën e yllit legjendar të filmit Marilin Monro, e cila në vitet 1950 ishte në Britani për të realizuar një film me aktorin e njohur Laurens Olivier. Mike O'Sullivan njofton se detyra e kompozitorit Conrad Pope, i cili kompozoi muzikën për filmin e ri, ishte përshkrimi i asaj periudhe dhe tregimi i historisë përmes muzikës.
Në vitin 1956, Marilyn Monroe, ende një aktore e re, ishte sensacion i kohës. Roli i bjondes së bukur luhet nga aktorja Michelle Williams. Kompozitorit Conrad Pope i ishte propozuar të kompozonte muzikën për këtë film.
Në skenën e filmit “My Week with Marilyn”, grupi ka rikrijuar një periudhë kohore të mëparshme, duke rrëfyer një histori të shkurtër dashurie në mes të Merilin Monrosë dhe një ndihmës producenti.
Në pianon e tij në Hollywood, kompozitori Pope ka kapur ndjenjat e çdo skene në kompozimin e muzikës së filmit, duke përdorur temën e një kënge nga kompozitori francez Alexandre Desplat. Në film, pianisti Lang Lang interpreton muzikën e kolonës zanore dhe pjesë të tjera të muzikës së këtij filmi. “Marilyn Monroe është sigurisht një figurë e madhe dhe kjo të lejon të kesh gjithë këtë muzikë madhështore. Ajo është një figurë që krijon reagime të forta, sidomos te meshkujt. Prandaj, kjo na mundëson të përdorim muzikë të hareshme.”
Marilyn: “Surprise, Roger and I decided to take you on an adventure.”
Filmi është i bazuar në historinë e vërtetë të Colin Clark, një anëtar i ekipit realizues të filmit që po xhironte Merilin Monro, i cili pati një marrëdhënie të shkurtër dashurie me aktoren. Rolin e Colin Clark e luan aktori Eddie Redmayne, i cili i ofron artistes një mundësi për t’u shkëputur nga vështirësitë e filmimit dhe nga martesa e saj problematike me dramaturgun Arthur Miller.
Muzika e filmit është frymëzuar nga muzika xhaz e bandave të mëdha instrumentiste dhe kolonat zanore të filmave të viteve 50-të. Kompozitori Pope thotë se ajo ndryshon nga skena në skenë. “Ne kemi marrë tema të thjeshta të cilat i kemi modifikuar në forma të ndryshme dhe ky është rezultati që kemi arritur”. Conrad Pope është një dirigjent veteran i cili ka punuar në dhjetra filma të njohur. Ky është filmi më i madh që ai ka marrë pjesë në cilësinë e kompozitorit deri tani. Ai thotë se puna në këtë film ishte ideale për të. “Po, unë mendoj se për këdo që është muzikant në Hollywood, angazhimi në një film të këtij lloji është një ëndërr e madhe.” Ai thotë se muzika ndihmon në shtjellimin e subjektit dhe lejon shikuesin të kuptojë jetën e shkurtër dhe tragjike të yllit të talentuar, e cila vdiq në moshën 36 vjeçare.
NOA/VOA