English

Përcillet për në banesën e fundit i urti i politikës, Sabri Godo

Tiranë, 4 dhjetor 2011, NOA Update – Republikani i mençur, historiani dhe shkrimtari i njohur Sabri Godo është përcjellë me nderime për në banesën e fundit, në Tufinë, ku do të prehet përjetë.

Në momentet e varrimit ceremonial që përmbylli edhe dy orët e Zisë Kombëtare për nder të politikanit të shquar, merrnin pjesë familjarët e tij, krerët e shtetit, politikanë nga Shqipëria e Maqedonia, personalitete të letërsisë e medias, dhe qytetarë të thjeshtë.

Ceremonia shtetërore e varrimit, e cila përmbylli ceremonialin shtetëror nisi me homazhet e lamtumirës për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, historianit dhe shkrimtarit Sabri Godo.

Pranë arkivolit me trupin e pajetë të republikanit të urtë i vendosur në hollin i Kuvendit, bënë homazhe për dy orë me radhë krerët e shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë, trupi diplomatik dhe qytetarë të thjeshtë i dhanë lamtumirën e fundit politikanit të urtë, të cilin do ta kujtojmë për mendimin e tij të mençur dhe të respektuar në hullinë ku politika shqiptare dergjet prej vitesh në pamundësi për të arritur një pakt qytetar të bashkëpunimit politik, që edhe pse disa herë i arritur me mundim është gjithnjë i vonuar.

Pas dy orëve homazhe, në vend u mbajt një minutë heshtje, që përmbylli edhe orët e Zisë Kombëtare të kësaj të diele.

Politika përkulet me nderim pranë të urtit Sabri Godo

Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë përkulen me nderim pranë arkmortit të mbuluar me flamurin Kuq e Zi ku ndodhet trupi i pajetë i republikanit të mençur dhe politikanit të shquar Sabri Godo, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pasi kanë vënë nga një shirit zie në hyrje të hollit të Kuvendit, njëri pas tjetrit, Kreu i Shtetit Bamir Topi, e pas gjysmë ore, kryeministri Sali Berisha, mandej Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë mbërritur për të bërë homazhe dhe ngushëlluar familjarët e politikanit Godo, duke lënë edhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast.

Presidenti Topi do ta cilësonte me këto fjalë humbjen e politikanit, historianit dhe shkrimtarit Sabri Godo, që u nda nga jeta në orët e drekës së të shtunës.

“Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike. Ndarja nga jeta e Sabri Godos është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju si dhe për ish-kolegët politikanë e deputetë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër e të bashkëpunojnë me të”, do të shprehej Presidenti në mesazhin e lëshuar pas ndarjes nga jeta të plakut të mençur Godo.

Ndërsa Kryeministri, i cili mbrëmë ngushëlloi edhe familjarët në shtëpi do të shprehej kështu:

“Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme. Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”, u shpreh kryeministri.

Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, që themeloi në vitin 1991 Partinë Republikane, të cilën e drejtoi për tetë vjet, dhe më pas e kryesoi si President Nderi, zhvilluan edhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi, më herët ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi, një delegacion nga Partia Socialiste i kryesuar nga Kreu i Grupit Kuvendor socialist Gramoz Ruçi, deputetë të Partisë Demokratike, e ambasadorët e SHBA-ve, OSBE-së, dhe BE-së në Tiranë, si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, shkrimtarë, e personalitete të jetës publike, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Homazhe në nderim të Sabri Godos kreu lideri i BDI-së Ali Ahmeti apo edhe Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Dje, zoti Basha e cilësoi politikanin dhe shkrimtarin Sabri Godo, si një ikonë të mençurisë qytetare.

Kush ishte i urti Sabri Godo

Sabri Godon e njohim të gjithë si burrin e mençur të politikës shqiptare, fjala e pakët e të cilit kishte peshë të madhe dhe gjithnjë i jepte zgjidhje një konflikti.

Sabri Godo do të njihej si republikani i parë i Partisë republikane, të cilën ai e themeloi në vitin 1991, dhe e drejtoi deri në vitin 1998, por më pas do ta kryesonte si President Nderi.

Gjatë kësaj kohe, Godo ka qene deputet i PR-së për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë.

Por fjala e mençur e Godos do të ndihej gjatë tërë viteve të tranzicionit shqiptar, edhe për shkak të formimit të tij në jetë.

Mendimet e tij mbi synimet greke në kufijtë e Shqipërisë janë tejet të vyera për vendin dhe politikën kombëtare.

Sabri Godo ka qenë shkrimtar i njohur, ku bien në sy romanet e tij historike “Ali Pashë Tepelena”; “Skënderbeu”, etj.

Godo ka shkruar shumë shkrime publicistike, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.

Sabri Godo u lind në Delvinë më 8 gusht të vitit 1929, për t’u shuar përgjithnjë dje, në 3 dhjetor, në moshën 82-vjeçare pas vuajtjeve nga një sëmundje në mushkëri.

mit/NOA

KOMENTE
  • Maliq Meta16:26 - 04 Dhjetor 2011
    (me ka njohur)pt
  • Maliq Meta16:25 - 04 Dhjetor 2011
    (me ka njohur )
  • Maliq Meta16:17 - 04 Dhjetor 2011
    Ore, une nuk po e kuptoje kete shprehjen i URTI. Personalisht as qe e kam njohur as qe edhe me njeh ,turp per ata qe nuk dine te pershkruajne personalitetin e nje figure sic ka qene SABRI GODO PO TE KISH QENE ALIVE DO T~ju PERGJIGJEJ FUCK WITHOUT THE NOISE respekte te mencurit SABRI GODO