English

Politika përkulet me nderim pranë të urtit Sabri Godo

Tiranë, 4 dhjetor 2011, NOA – Krerët më të lartë të shtetit, personalitete të politikës, të majtë e të djathtë përkulen me nderim pranë arkmortit të mbuluar me flamurin Kuq e Zi ku ndodhet trupi i pajetë i republikanit të mençur dhe politikanit të shquar Sabri Godo, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Pasi kanë vënë nga një shirit zie në hyrje të hollit të Kuvendit, njëri pas tjetrit, Kreu i Shtetit Bamir Topi, e pas gjysmë ore, kryeministri Sali Berisha, mandej Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë mbërritur për të bërë homazhe dhe ngushëlluar familjarët e politikanit Godo, duke lënë edhe nga një shënim në librin e Zisë të hapur me këtë rast.

Presidenti Topi do ta cilësonte me këto fjalë humbjen e politikanit, historianit dhe shkrimtarit Sabri Godo, që u nda nga jeta në orët e drekës së të shtunës.

“Sabri Godo ishte jo vetëm një shkrimtar i madh me portretizimet e spikatura të figurave historike kombëtare, por edhe mishërimi i një politikani atdhetar e të moderuar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën politike pluraliste të dy dekadave të fundit si dhe në hartimin e Kushtetutës, dokumentit themeltar të Shqipërisë moderne e demokratike. Ndarja nga jeta e Sabri Godos është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për ju si dhe për ish-kolegët politikanë e deputetë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër e të bashkëpunojnë me të”, do të shprehej Presidenti në mesazhin e lëshuar pas ndarjes nga jeta të plakut të mençur Godo.

Ndërsa Kryeministri, i cili mbrëmë ngushëlloi edhe familjarët në shtëpi do të shprehej kështu:

“Sabri Godo ishte një nga personalitetet e shquara të mendimit politik dhe letrave të vendit, i cili dha një ndihmesë të çmuar në zhvillimet politike të njëzet viteve të fundit në Shqipëri, në fushën e ligjeve të vendit, dialogut dhe mirëkuptimit midis shqiptarëve. Me mjeshtërinë e Tij të madhe, talentin e rrallë, Ai ishte kolosi i romanit historik në letrat shqipe, të cilat i pasuroi me vepra të pavdekshme. Me ndarjen nga jeta të Sabri Godos politika shqiptare humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual shqiptar humbi njërën prej mendjeve më të ndritura të saj, letrat shqipe korifeun e romanit historik të tyre”, u shpreh kryeministri.

Homazhe për të nderuar kujtimin e politikanit të njohur, që themeloi në vitin 1991 Partinë Republikane, të cilën e drejtoi për tetë vjet, dhe më pas e kryesoi si President Nderi, zhvilluan edhe ish-Presidenti Rexhep Mejdani i shoqëruar nga ish-Kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi, më herët ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi, një delegacion nga Partia Socialiste i kryesuar nga Kreu i Grupit Kuvendor socialist Gramoz Ruçi, deputetë të Partisë Demokratike, e ambasadorët e SHBA-ve, OSBE-së, dhe BE-së në Tiranë, si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik, shkrimtarë, e personalitete të jetës publike, por edhe qytetarë të thjeshtë.

Pak më parë homazhe në nderim të Sabri Godos kreu lideri i BDI-së Ali Ahmeti apo edhe Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Dje, zoti Basha e cilësoi politikanin dhe shkrimtarin Sabri Godo, si një ikonë të mençurisë qytetare.

Ndërsa kanë mbetur edhe gjysmë ore nga homazhet, oborri pranë Kuvendit është i mbushur me qytetarë të shumtë, që do të presin edhe mbylljen e ceremonisë shtetërore të homazheve kushtuar personalitetit të njohur të politikës shqiptare, politikanit të vlerësuar nga të gjithë, të urtit Sabri Godo, që ka lënë trashëgimit jo vetëm Kushtetutën, që ne kemi sot, por edhe vepra historike e letrare si Ali Pashë Telepena e Skënderbeu.

mit/NOA

KOMENTE