English

Tirana si pica “Margarita”

Nga Koloreto Cukali

Çfarë është Tirana?

Mënyra më e mirë për të kuptuar Tiranën është t’ia shpjegosh dikujt që nuk e njeh, p.sh., nëse vjen një i huaj dhe kërkon të dijë çfarë e dallon këtë qytet. Çfarë ka të vetën ky qytet? Kësaj përgjigjeje nuk i jep dot udhë askush. E para, se ne nuk e kuptojmë pyetjen.

– I huaj? Po le të shkojë në Petrelë? Ose… – Di unë një restorant ku ka mish në zgarë.

A thua se çështja është si të gënjejmë një të huaj.

E dyta, ne vetë nuk kemi asnjë kërkesë, asnjë pretendim për qytetin ku rrojmë.

Duke parë sheshin e ri të Tiranës që ngjan si një pistë Go-Carti, nuk ka sesi të mos vëresh sesi kërkesat e nevojat tona shoqërore janë reduktuar rëndshëm nga viti në vit. Si në poemat e kuqe të Kadaresë, çfarë kërkonte shqiptari në shekuj? Pak bukë, pak naftë, pak televizor. Ndaj, pyetja më e pakuptimtë për një qytetar të Tiranës është: “Çfarë e dallon Tiranën nga qytetet e tjera?”

Çfarë nuk ka Tirana

Nëse në çdo vend që të shkosh, gjen diçka që flet për shpirtin e qytetit, qoftë e shkuar apo e tashme, qoftë teknologjike apo kulturore, sociale a arkitekturore.

Qytetet janë gjëra të gjalla dhe kanë tiparet e tyre.

Në Siattle të thonë që aty ka lindur muzika grunge, në Sidnej të tregojnë Operan më të bukur në botë, në Pekin të tregojnë Qytetin e Ndaluar, në Zyrih mund të gjesh klubin ku është themeluar dadaizmi, në Paris duhet të provosh patjetër një produkt në brasserie-të, në Lucernë nuk duhet të humbësh një shëtitje në promenadën buzë liqenit, në Kongo një vizitë në parkun më të madh me orangutangë, në Pragë një shëtitje në qytetin e vjetër, në Berlin gjen komunitetin më të madh tekno, në Barcelonë arkitekturën e Gaudit apo shatërvanin më të bukur në botë, në Stamboll hamamet dhe tregun e erëzave, në Londër parlamentarët ulen ngjitur dhe tifozët në stadium s’kanë rrjeta e janë 1 metër larg fushës, Tajlanda të josh me shoqërinë e këndshme trupore dhe një pafundësi tempujsh shpirtërorë.

Siç thashë, çdo qytet ka diçka për të cilën dallohet, pjesë e shpirtit të tij. Po Tirana? Po ju le ta mendoni pak. Ndoshta, ju mund të gjeni një përgjigje ndërsa englendisemi me pak histori.

Tirana, çfarë ka qenë

Arkitektura fashiste, siç më kanë thënë, nuk konsiderohet nga më të mirat. Madje në Itali ka një lloj tendence për ta anatemuar e zhveshur nga çdo lloj vlere. Në Tiranë, çuditërisht, ajo çfarë kanë bërë arkitektët fashistë është gjëja më e bukur që kemi. Dhe e vetmja. Kusuri është një mishmash barbarësh.

Gjurmët e kujtdo në këtë qytet flasin për një mentalitet pushtuesi. Pushtuesi është dikush që sa erdhi në Tiranë zbuloi një hapësirë të re jetësore dhe me dhunë a me dredhi, me forcën e votave apo të zarfeve korruptivë, me imponimin frikësues të mbiemrit apo të dialektit e dhunoi këtë qytet.

Ky qytet është pushtuar sistematikisht nga parti e individë, nga funksionarë lokalë e qendrorë, nga pasanikë e katundarë, nga veriorë e jugorë.

Rikthehuni tek “Nëntori i një Kryeqyteti” ku fshatarë që nuk kishin shkelur ndonjëherë në këtë qytet shtien në dorë Radio-Tiranën për të bërtitur në megafon.

Pas viteve ’90 nën hundën e një shteti që kishte prioritete të tjera por jo qytetin, qyteti u masakrua përtej çdo imagjinate. Dhe nuk e kam për hapësirat e gjelbra. As për ndërtimet në trotuar o mbi lulishte. As për pallatet model king-kong. Për to është shkruar shumë herë.

E kam për mënyrën sesi pushtuesit abuzuan jo vetëm hapësirat fizike por dhe ato shpirtërore (që shkojnë bashkë) duke imponuar ligjësitë e tyre në arkitekturë, në urbanistikë, në mënyrën e argëtimit, në mënyrën e veshjes, në mënyrën e jetesës së këtij qyteti. Tirana është një qytet pa shpirt, ku e vetmja gjë paraqet interes janë bisedat: kush po bën para, kush është pronari i filan gjëje, si të bëjmë para, bravo atij që ka bërë shumë para, a ti je budalla që nuk bëre para.

Tirana, çfarë do të bëhet?

Të flasësh për Tiranën në terma rilindësish – ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet – ngjan shumë pretencioze por në të vërtetë është thjesht cinike. Është si të flasësh për receta milfëji në tryezën e një somalezi, ose të kërkosh që qentë nuk duhen lidhur me zinxhirë por me kollare speciale në shtëpitë e atyre që varin veten nga varfëria në fshatrat e Shqipërisë.

Tirana kalon dorë më dorë të parvënyve, duke humbur përherë e më shumë çdo mundësi që mund ta bënte interesant e të veçantë si qytet, duke humbur deri edhe njerëzit që mund ti jepnin pak shpirt. Më të mirët kanë ikur. Kanë mbetur vetëm partizanët e viteve 2010 që luftojnë në llogore televizive dhe ata që Tiranën e kanë vetëm si ‘rrugë’ për të vajtur nga Rinasi në zyrë.

Sheshi i ri, i devijuar nga plani ekzistues, në rastin më pozitiv thjesht për kunj të atij që e bëri, është një dëshmi e ripërsëritur që askush nuk ka interes për këtë qytet. Vërtet, ai plan kishte shumë vrima. Por, edhe thjesht mungesa e një debati serioz mbi devijimin e planit të sheshit, kaq i rëndësishëm e jetik për ata që jetojnë në Tiranë, jo për ata që Tiranën e kanë vetëm si rrugë nga halli Rinas-zyrë-Rinas, tregon që Tirana ka rënë. Ka rënë, si atëherë kur radio-Tirana pushtohej nga fshatarë zemërbardhë që kishin një ideal naiv në mendje: ti vëmë zjarin, se e bëjmë vetë, edhe më të mirë, nga e para.

E ardhmja e Tiranës duket e zymtë. Filozofia e pushtuesit, që të zërë hapësira sa mundet e të injorojë gjithçka ka ekzistuar më përpara nuk ka të ndalur.

Por, zymtësia e vërtetë është që askush nga ne nuk pret më shumë. Nevojat tona janë reduktuar në minimumin e mundshëm njerëzor. Për shembull, çështjen e sheshit, shumë vetë e vlerësuan me një fjali: tani do shkojmë pak më shpejt me makinë nga 9-katëshet te Banka!! Askush nuk pret më shumë nga qyteti. Në rrugë bredhin klube e makina*.

Tirana-Margarita

Një fëmijë 5 vjeç i quan picat Margarita, ‘pica pa asgjë’.

Tirana ka dhjetëra restorante italianë dhe të vetmet ndërtesa (të mbetura) të hajrit kanë pasur arkitektë fashistë. E menduat se çfarë ka të veçantë Tirana? S’ju erdhi ndër mend asgjë? Asgjë fare? Apo, mos thatë: “Qoftet”? Po të kish Tirana si veçanti qoftet apo zgarën, do të thotë që ju nuk keni bredhur shumë në Ballkan për të parë se ‘zgara’ e fqinjëve është ku e ku më e pasur se e jona.

Tirana ka piramidë? Kopsht Botanik? Jo, më.

Ka pasur pazarin e vjetër, por vetëm në fotografi.

Ka pasur shtëpi me qerpiç, por jo më.

E vetmja gjë që ka Tirana janë pushtuesit.

Një mik më tha që e veçanta e Tiranës është që sheh vazhdimisht nëpër makina luksoze njerëz që nga ana qytetare lënë shumë për të dëshiruar. Njerëz që ekspozojnë dhunshëm ‘statusin’ e tyre ndërsa xhirojnë gomat e rrezikojnë të përplasin pleqtë që kalojnë rrugën, teksa nga magnetofonët vjen muzikë e dyshimtë me volum të lartë, ndërsa në sediljet pranë tyre ka femra me make up alla ‘channel X’. Por dhe ky, është fenomen vendesh të botës së tretë.

Ndoshta, një nga problemet e pushtimit është pikërisht ky: teknologjia ecën më shpejt se qytetaria. Blejmë celularët më të shtrenjtë, pa ditur shkrim e këndim; makina luksoze pa pas bërë kurrë një shëtitje si njerëz, shembim shtëpi të vjetra pa pas jetuar kurrë në Tiranë. Tirana e sotme ka të veçantë… asgjë. Si një picë Margarita.

"Shekulli:

KOMENTE