Slloveni, 4 dhjetor 2011, NOA - Edhe në Slloveni dhe Kroaci, anëtaren e ardhshme të BE-së, zhvillohen zgjedhjet parlamentare këtë dielë. Në Slloveni sipas parashikimeve, pas rrëzimit të qeverisë së socialdemokratëve, partia e koalicionit të djathtë dhe të qendrës të ish-kryeministrit, Janez Jansha ka shanse të mëdha për fitore. Jansha ishte kryeministër në kohën kur Sllovenia u pranua anëtare e BE-së në vitin 2004. Ndërrim pushteti pritet edhe në Kroaci, sipas sondazheve. Partia e Unionit Demokratik, HDZ, e kryeministres Jadranka Kosor, për shkak të aferave korruptive mund të përballet me rezultatin më të dobët në historinë e saj. Fitorja duket se i buzëqesh socialdemokratëve në opozitë dhe kryetarit Zoran Millanoviç. Qeveria e re duhet të organizojë edhe anëtarësimin e Kroacisë në BE në korrik të vitit të ardhshem. Më 9. dhjetor në Bruksel nënshkruhet zyrtarisht marrëveshja e anëtarësimit të Kroacisë. a.k/NOA