English

Zgjedhjet në Rusi, blindohet Kremlini

Moskë, 4 dhjetor 2011, NOA – Kremlini është rrethuar nga qindra policë, të cilët po ruajnë ndërtesat qeveritare në pritje të demonstratave të paralajmëruara për sot në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, që po mbahen në Rusi, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Efektivë të shumtë të policisë janë stacionuar nëpër sheshin e Revolucionit në qendër të kryeqytetit rus, Moskë, si dhe pranë sheshit të Kuq.

Ndërkohë uniformat e rendit po patrullojnë në brendësi të metrove dhe zonave të tjera të populluara për të shpërndarë grumbullimet e mundshme.

Pak orë më parë një grusht militantësh të lëvizjes “Fronti i majtë” të mbledhur në sheshin e Revolucionit u ndaluan nga forcat e policisë.

Ata u thirrën në komisariate pasi tentuan të tubohen pa lejen e autoriteteve.

Kreu i “Frontit të Majtë” Sergueï Oudaltsov, është ndaluar pa asnjë arsye, denoncoi në media bashkëshortja e tij.

Ndërkohë, policia ka bastisur edhe një apartament ku jetojnë shumë nga militantët e lëvizjes majtiste, dhe ka ndaluar të gjithë militantët që ndodheshin aty, bën me dije Vassili Kouzmine, përgjegjësi i kësaj lëvizjeje për degën e kryeqytetit.

“Fronti i majtë” ka paralajmëruar një protestë në qendër të Moskës, ku pritet të tubohen mëse 15 mijë militantë.

Në zgjedhjet parlamentare në Rusi janë thirrur për të hedhur votën e tyre afro 110 milion zgjedhës, të cilët do të vendosin për emrat e 450 deputetëve të Dhomës së Ulët të Parlamentit, e njohur si Duma.

Partia e Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar” kërkon me padurim të dominojë rezultatet e zgjedhjeve, ndërkohë që media bën me dije se partia e Putin po u bën presion zgjedhësve dhe mediave të pavarura, që këto të fundit të mos bëjnë publike rezultatet dhe ngjarjet e sotme.

mit/NOA

KOMENTE