English

Çlirimi i familjeve shqiptare

Propozojmë një sistem progresiv të tatimit mbi të ardhurat personale nga puna. Mësuesit, policët, mjeket, infermierët etj, taksohen sot 10-fish më shumë, se para 5 vitesh, ndërsa rroga e tyre nuk është rritur 10-ish. Ndërkohë që ne, jemi të gatshëm të paguajmë më shumë tatim mbi të ardhurat tona si deputetë

Nga Mimi Kodheli

Prej tashmë dy muajsh Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka paraqitur për shqyrtim dhe miratim në Kuvend dy nisma ligjore, me shpresën se ato jo vetëm do të kishin ardhur e do të ishin diskutuar tashmë prej ditësh këtu në Kuvend, por do të bëheshin pjesë edhe e diskutimit të projekt-buxhetit të vitit 2012. Në kushtet kur janë shkelur të gjitha afatet kohore që ligji kërkon, mbetemi akoma në pritje të shqyrtimit të propozimeve të bëra.

Por ndërkohë, kriza ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer ekonominë shqiptare dhe atë globale, vazhdon. Çmimet janë gjithnjë në rritje, fuqia blerëse në rënie të lirë, monopolet vazhdojnë të veprojnë në treg, situata është gjithmonë e më e rënduar në zonat rurale. Këto e shumë të tjera si këto, sjellin si të domosdoshëm, çlirimin e mijëra familjeve që jetojnë nën minimumin jetik, por edhe të atyre me të ardhura të mesme, nga një nivel i lartë taksimi.

Çmimet ndërkombëtare, sidomos të produkteve bazë gjatë këtyre pesë viteve të fundit, janë dy ose trefishuar. Ndërkohë, qeveria nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se ka vazhduar të tatojë konsumatorin shqiptar, në të njëjtën mënyrë. Kjo do të thotë se çdonjëri prej nesh ka paguar me disafish më shumë TVSH në vite, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ta parandaluar këtë rritje në kurriz të konsumatorëve, sidomos atyre me të ardhura të pakta. Shqiptarët paguajnë sot dy herë më shumë taksa konsumi për kilen e miellit e të bukës, të sheqerit e të orizit, për litrin e vajit e të qumështit, për faturën energjisë elektrike, për barnat dhe vizitat mjekësore. Paketa që ne propozojmë rishtaz, ka të bëjë me uljen e zërit “Të ardhura nga TVSH-ja”, që për rrjedhim do të ndryshonte shumën e të ardhurave buxhetore në nenin 2 të këtij projektligji, në këto shuma: Së pari, në Shqipëri, nevoja për mallrat vaj, sheqer, oriz, plotësohen të gjitha nga importi. Përgjysmimi i TVSH-së do të sillte një efekt prej 1,8 mld lekë. Ndërsa tatimi me 0% TVSH, i grurit, miellit, bukës, qumështit dhe vezëve do të ketë një efekt në të ardhurat buxhetore, për të njëjtin zë në shumën 1,9 mld lekë.

Së dyti, gjatë këtyre viteve, çmimi i energjisë elektrike ka vazhduar të rritet. Kështu çmimi mesatar familjar i shitjes me pakicë të energjisë elektrike sipas Entit Rregullator të Energjisë ishte 5.71 lekë / kvh në vitin 2005 dhe u bë 9.3 lekë / kvh në vitin 2010. Çmimi i energjisë elektrike për shqiptarët është më i larti në rajon, duke e bërë këtë mall një nga më të shtrenjtët. Në këto kushte, ne e shikojmë imediat ndërhyrjen në çmimin e energjisë në favor të qytetarëve, me uljen e TVSH nga 20% në 6%. Ulja e TVSH-së në 6% për familjet konsumatore do të kishte një efekt në të ardhurat buxhetore jo më shumë se 3,1 mld lekë.

Së treti, pak pasi në janar të këtij viti u fut në skemën e TVSH-së dhe taksimi i ilaçeve me 10%, u pa se çmimi i ilaçeve u rrit, në masën e TVSH-së së vendosur, por në disa raste edhe më shumë. Heqja e TVSH-së për ilaçet do të lehtësonte barrën për qytetarët në masën 1,3 mld lekë.

Së katërti, heqja e TVSH-së së librit në të gjitha hallkat e saj, është një kërkesë mbi 15-vjeçare e botuesve, shkrimtarëve, intelektualëve, e sistemit të arsimit, sidomos atij privat etj. Aktualisht kjo taksë për librin funksionon e deformuar, sepse hiqet vetëm në gjysmën e hallkave (shtëpi botuese dhe librari, por nuk hiqet në shtypshkronjë), duke e bërë atë formale dhe duke ia ngarkuar në praktikë, TVSH-në nxënësve apo lexuesve.

Të detyruar nga MSA-ja, Qeveria ka hequr të gjitha taksat e librave që hyjnë nga importi (përfshi edhe TVSH-në) duke diskriminuar prodhimin vendas të librave dhe duke dekurajuar zhvillimin e industrisë poligrafike e dëmtuar prodhimin vendas. Propozimi jonë do t'i shërbejë zhvillimit të industrisë poligrafike shqiptare, shtimit të vendeve të punës në këtë sektor, por mbi të gjitha uljes së çmimit të librave për lexuesit shqiptarë.

Efekti në të ardhurat buxhetore për shkak të heqjes së TVSH-së së librit shkollor dhe artistik që prodhohet në vend, është vetëm 0,17 mld lekë. Kurse duke u nisur nga fakti se taksa e sheshtë, që aplikon sot qeveria mbi të ardhurat personale, është një tjetër diskriminim që u bëhet qytetarëve me të ardhura të ulëta apo mesatare, ne propozojmë një sistem progresiv të tatimit mbi të ardhurat personale nga puna. Mësuesit, policët, mjeket, infermierët etj, taksohen sot 10-fish më shumë, se para 5 vitesh, ndërsa rroga e tyre nuk është rritur 10-ish. Ndërkohë që ne, jemi të gatshëm të paguajmë më shumë tatim mbi të ardhurat tona si deputetë.

Ja propozimi ynë:

Paga mujore Lekë Shkalla e tatimit në %

0 - 20 000 - pragu përjashtues

20 000 - 40 000 0 + 7 % e shumës mbi 20 000

40 000 - 70 000 1 400 + 10 % e shumës mbi 40 000

70 000 - 100 000 4 400 + 15 % e shumës mbi 70 000

100 000 - 150 000 9 900 + 18 % e shumës mbi 100 000

Mbi 150 000 18 900 + 20 % e shumës mbi 150 000

Efekti në të ardhurat buxhetore në zërin “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” do të jetë 4 mld lekë. Në mbledhjen e fundit të komisionit të ekonomisë na u tha se ku do t’i gjejë qeveria gjithë këto para që ulen tek të ardhurat për shkak të propozimit tuaj.

Përgjigja jonë është e

thjeshtë: gjejini të korrupsioni. Për shkak të qeverisjes suaj “me duar të pastra”, kemi rënë 8 vende në klasifikim dhe jemi vendi më i korruptuar në Europë. Ndaj gjejini te korrupsioni. Por, mund t’i gjeni edhe tek rritja e të ardhurave nga koncesionet e HEC-eve private. Mund t’i gjeni edhe nga rritja e të ardhurave nga legalizimi i pronave pasi vitin e ardhshëm duhet të mbarojë edhe legalizimi i ndërtimeve informale, edhe legalizimi i fshatrave turistike. Mund t’i gjeni edhe tek ulja e shpenzimeve korrente administrative, pasi nuk është e vërtetë se qeverisni me qeveri të vogël.

KOMENTE