Hagë, 5 dhjetor 2011, NOA - Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të publikojë sot aktgjykimin mbi padinë e ngritur nga Shkupi zyrtar kundër Athinës për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme Dypalëshe të vitit 1995, përmes të cilës u bllokua pranimi i Maqedonisë në NATO në Samitin e NATO-s të vitit 2008 në Bukuresht.
Sipas procedurës, Gjykata dy javë para shpalljes së vendimit ka informuar të dyja palët.
Maqedonia kërkon që Greqia të respektojë detyrimet e saj të parapara me Marrëveshjen e Përkohshme dhe të mos e bllokojë anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Athina zyrtare ka mbrojtur qëndrimin se në Samitin e Bukureshtit nuk ka pasur bllokim dhe veto nga Greqia, por konsensus midis vendeve anëtare që shtynë anëtarësimin deri në zgjidhjen e kontestit të emrit.
Greqia gjithashtu kërkoi që Gjykata të shpallet jokompetente për të zgjidhur këtë çështje.
Por sipas drejtësisë ndërkombëtare, vendimet që miratohen nga Gjykata në Hagë janë përfundimtare dhe obligative, ndërsa për zbatimin dhe respektimin e tyre kompetent është Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
INA/NOA