Bruksel, 5 dhjetor 2011, NOA – Sot në Bruksel është një ditë e rëndësishme për Kosovën, pasi ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën si edhe për fuqizimin e marrëdhënieve tregtare me shtetin e ri në rajon, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Një vendim pozitiv i ministrave të Jashtëm të 27 vendeve të BE-së për çeljen e negociatave për liberalizimin e vizave do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës, që në të të ardhmen të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Sipas zyrtarëve evropianë, nga nisja e dialogut për këtë çështje deri te liberalizimi i plotë i vizave do të duhen 2-3 vjet.
Ministrja e Integrimit të Kosovës, Vlora Çitaku në një intervistë për gazetën kosovare “Ekspress” thotë se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, ndërsa vendimi varet nga disponimi politik në Bruksel.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet teknike për të merituar hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe fuqizimin e marrëdhënieve tregtare. Por ne jemi të vetëdijshëm që përveç procesit të liberalizimit të vizave, por edhe ai i marrëdhënieve tregtare nuk janë vetëm procese teknike, në fund fare varen nga disponimet politike”, ka thënë Çitaku, për gazetën.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet që Komisioni Europian ua ka parashtruar institucioneve të Kosovës për të ecur papara në këto fusha. Gjithë çfarë është kërkuar nga ne, është përmbushur dhe tashmë vendimi është në duart e politikanëve të BE’së dhe në kemi shumë të drejtë të presim që Këshilli i Ministrave të mbështesë Rekomandimet e Komisionit Europian për Kosovën”, shton ajo.
Komisioni Europian kishte rekomanduar fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave gjatë muajit tetor.
Kosova aktualisht njihet nga 22 vende anëtare të BE-së, ndërsa Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Rumania nuk e kanë njohur ende.
Por, megjithatë ministrja e Integrimit Vlora Çitaku nënvizon se vendet e BE-së janë të disponuara të përkrahin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
“Përgjithësisht është një disponim i mirë për Kosovën. Ka një vetëdijesim në rritje që Kosova nuk mund të mbetet vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk mund të lihet si vendi i vetëm në rajon pa marrëdhënie kontraktuale”, deklaroi ministrja e Integrimit.
mit/NOA