Tiranë, 5 dhjetor 2011, NOA Update – Deputetët e Kuvendit pas një minute heshtje për nder të kujtimit të republikanit dhe politikanit të urtë Sabri Godo, që u përcoll dje për në banesën e fundit, debatuan për projekt/buxhetin e vitit 2012, i cili pas një ore diskutimesh u miratua në tërësi me 71 vota pro dhe 50 kundër.
Ashtu siç ishte paralajmëruar opozita është përplasur me debat në Kuvend, duke bërë të qartë se nëse nuk pranoheshin propozimet e saj, atëherë ajo do të jepte votën kundër buxhetit, të cilin mazhoranca e cilëson historik dhe e ka miratuar në komisione, vetëm me votat e saj.
Ndërkaq, Partia Socialiste ka dhënë propozimet e veta, ku sipas saj duhet të ulet TVSH-ja e energjisë për konsumatorët nga 20 % - 6 %, si dhe të ulet TVSH-ja mbi pagat.
Më herët deputetja e PS-së Mimi Kodheli kërkoi heqjen e TVSH-së për ilaçet, librin, energjinë.
Ajo kërkoi gjithashtu që të ulen taksat për personat me të ardhura të pakta.
Opozita e cilësoi projekt/buxhetin si një rrezik për rritjen e borxhit publik të vendit, mbi tavanin e vendosur prej 60 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Por ministri i Financave Ridvan Bode duke e mbrojtur këtë buxhet iu kundërvu socialistëve duke theksuar se ata e kërkojnë heqjen e TVSH-së për interesat e tyre, duke përmendur këtu TVSH-në për librin, dhe përpjekjet për rikthimin e vendit në një Republikë bananesh.
Sipas Bodes TVSH-ja e ilaçeve nuk i ka shtrenjtuar ato, ndërkohë që akuzoi PS-së se po rreket të hapë tregun e evazionit.
“Opozita ka etje për të bërë demagogji elektorale, dhe po përpiqet të shkatërrojë sistemin për ta kthyer në atë të para vitit 2005”, tha Bode.
Ndërkohë deputeti i mendimit ndryshe në PS, Andis Harasani evidentoi problemin e rritjes së çmimit të energjisë, duke nënvizuar se mënyra e vetme për të zgjidhur krizën është bashkëpunimi.
Ministri i Financave deklaroi se sfida e këtij buxheti është ekonomia reale dhe rikthimi i rritjes ekonomike në vlerën 6 %.
Projekt/buxheti i vitit 2012 u miratua dy ditë më parë, nen për nen në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, vetëm me votat e mazhorancës.
Pas diskutimeve Kuvendi miratoi në tërësi me 71 vota pro dhe 50 kundër të opozitës, buxhetin për vitin 2012.
mit/NOA