English

MSH dhe një kompani private paditen në gjykatë për tenderat

Prishtinë, 5 dhjetor 2011, NOA - Ministria e Shëndetësisë në Kosovë dhe kompania farmaceutike “Jona Med”, e cila merret me furnizime me barna, kanë paditur njëra-tjetrën në gjykatë, për veprime të papërgjegjshme që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit prej miliona eurosh.

Kjo çështje lidhet me një tender, i cili është hapur në pranverë të këtij viti, ku kompania “Jona Med” është eliminuar nga gara, ndonëse kishte ofruar çmimin më të lirë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fituese një kompani tjetër me çmimin dyfish më të shtrenjtë sesa oferta e “Jona Med”.

“Jona Med” ka konkurruar në tender me çmimin prej 460 mijë eurosh, ndërsa MSHK-ja ka shpallur fitues kompaninë, që ka ofruar çmimin prej 932 mijë eurosh, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas padisë kontrata është lidhur për furnizimin për tre vjet me barna, në një kontratë në shumën totale prej afro 3 milionë euro.

Bekim Deshishku, pronar i kësaj kompanie, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se ka ngritur padi në Gjykatën Supreme kundër Ministrisë së Shëndetësisë, duke konsideruar se kjo i ka mbetur rruga e vetme për të mësuar se përse ishte eliminuar nga gara në një tender për produkte mjekësore, me të cilin më pas ishte shpërblyer kompania tjetër farmaceutike me çmim dyfish më të shtrenjtë.

Ai pohon se është eliminuar nga gara pa i’u dhënë mundësia e sqarimit në lidhje me dosjen e tenderit që, sipas tij, është obligim ligjor dhe kjo shkruan edhe në tender. “Komisioni për vlerësimin e tenderit nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për sqarime shtesë, siç e parasheh ligji. Si dhe dosja e tenderit”, ka thënë Deshishku.

Deshishku nënvizon se MSH-ja e ka eliminuar nga gara me arsyetimin se nuk ka ofruar dosje në tender se si mund të furnizojë me të gjitha llojet e penjve kirurgjikë, për të cilët është shpallur tenderi dhe se në dosje i mungojnë edhe dy lloje, nga 26 sa janë kërkuar.

“Unë jam siguruar nga kompania prodhuese, nga e cila furnizohem me këto produkte “Demetech’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) se mund të furnizojë Ministrinë me këto produkte pa asnjë problem, por nuk më është dhënë mundësia për sqarime shtesë gjatë tenderit, por menjëherë jam eliminuar”, tha Deshishku, duke treguar letrën e konfirmimit për këtë nga kompania “Demetech”.

Mandej, ai pohoi se i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), por as aty nuk ka gjetur qare, prandaj ka dërguar padi në Gjykatën Supreme.

Gazeta ka kontaktuar me zyrtarë të OSHP-së, në lidhje me këtë çështje. Ardian Behra, kryesues i Sekretariatit në OSHP, duke mos dashur të komentojë më shumë rreth këtij vendimi, ka thënë se sqarimet në lidhje me këtë ankesë janë dhënë në vendimin e këtij organi.

Drejtori i Departamentit të Komunikimit në MSH, Faik Hoti, ka thënë se “Komisioni kërkon informata shtesë kur ka ndonjë paqartësi rreth dosjes së prezantuar në tender, që në këtë rast, sipas tij, nuk ka patur, sepse “Jona Med” ka qenë në mesin e 7 operatorëve të shpallur, si të papërgjegjshëm në këtë tender, në bazë të dosjes së prezantuar”.

Hoti konfirmoi se Ministria ka paditur kompaninë në Gjykatën Ekonomike, me akuzën se nuk ka përmbushur deri në fund obligimet e saj për furnizimin me barna në të kaluarën.

K.D/NOA

KOMENTE