English

Pakti në provë, Kuvendi shqyrton nen për nen buxhetin 2012 dhe Kodin Rrugor

Tiranë, 5 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas miratimit tri ditë më parë, nen për nen në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, vetëm me votat e mazhorancës, buxheti i shtetit për vitin 2012 do të shqyrtohet dhe miratohet nen për nen në seancën plenare të Kuvendit e paralajmëruar për këtë të hënë në orën 09.00, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Projektligji për Buxhetin e vitit 2012 është pika kyç e seancës së sotme plenare, për të cilin ashtu sikundër pritet, deputetët e opozitës do të ngrenë kartonin e kuq.

Madje një prej gazetave thoshte në titullin kryesor të saj se të gjithë socialistët do të votojnë kundër, dhe ky ishte një urdhër i nisur me e-mail, nga kreu i PS-së.

Pritet që gjatë seancës së sotme të ketë debate mes mazhorancës dhe opozitës, para së gjithash për buxhetin, për të cilin PS ka dhënë argumentet e saj kundër, ndërsa mazhoranca e cilëson si buxhetin historik.

Por, një tjetër pikë e nxehtë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi në seancë plenare i Kodit Rrugor, një projektligj për të cilin janë ndërmarrë tri nisma legjislative, por që për t’u kthyer në ligj kërkon bashkimin e votave të mazhorancës dhe opozitës në një shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Ndërsa kaloi me vështirësi në Komision, Kodi Rrugor pritet të vërë në provë edhe sa i rezistueshëm është kompromisi i arritur për reformat kyçe në vend mes mazhorancës dhe opozitës, dy javë më parë, pas dy vitesh ngërç politik.

Gjatë shqyrtimit të Kodit Rrugor në parlament do të shprehen Komisioni për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin dhe Komisioni për sigurinë kombëtare.

Gjatë seancës së sotme do të miratohen procesverbalet e seancave plenare; programi i punës së Kuvendit, miratimi me konsensus i kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 6-23 dhjetor 2011.

mit/NOA

KOMENTE