English

Pse Evropa nuk është si Amerika

Çdo dollar i humbur nga GDP-ja në shtetet si Massachusetts apo Ohio shkakton ndryshime në taksat dhe transferimet që kompensojnë rreth 40 centët e kësaj rënieje, duke ofruar një stimulim të qëndrueshëm fiskal. Një kompensim i krahasueshëm nuk ekziston në Europë, ku taksat pothuajse ekskluzivisht u paguhen dhe transferimet pranohen nga qeveritë kombëtare

Nga Martin Feldstein

Europa sot përballet me pasojat e pashmangshme negative të imponimit të valutës së përbashkët, në një grumbull shtetesh heterogjene. Mirëpo, kriza e buxhetit në Greqi dhe rreziku i përhapjes së saj në Itali dhe në Spanjë janë vetëm një pjesë e problemit të shkaktuar nga valuta unike. Brishtësia e bankave më të mëdha europiane, shkallët e larta të papunësisë dhe pabarazia e madhe tregtare ndëreuropiane (suficiti aktual 200 miliardë dollarësh i Gjermanisë karshi deficitit të kombinuar 300 miliardë dollarësh në pjesën e mbetur të Eurozonës) janë po ashtu reflektim i përdorimit të euros.

Politikanët europianë, të cilët insistuan në prezantimin e euros në vitin 1999, injoruan paralajmërimet e ekonomistëve që parashikuan se valuta e përbashkët për të gjithë Europën do të krijonte probleme serioze. Mbrojtësit e euros ishin të përqendruar në qëllimin e integrimit politik europian dhe e konsideruan valutën unike si një pjesë të procesit të krijimit të ndjenjës së komunitetit politik në Europë.

Ata siguruan mbështetjen popullore me sloganin: “Një treg, një valutë”, duke insistuar se zona e tregtisë së lirë, e krijuar nga Bashkimi Europian, do të korrte sukses vetëm me një valutë unike.

As historia e as logjika ekonomike nuk e mbështesnin këtë qëndrim. Në të vërtetë, tregtia e BE-së funksionon mirë, me gjithë faktin se vetëm 17 nga 27 anëtarët e bllokut e shfrytëzojnë euron. Mirëpo, argumenti kyç i paraqitur nga zyrtarët europianë dhe mbrojtësit e tjerë të euros ishte se pasi valuta unike funksionon mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë do të duhej të funksiononte mirë edhe në Europë. Mbi të gjitha, të dyja janë ekonomi të mëdha, kontinentale dhe të ndryshme. Mirëpo, ky argument anashkaloi tri dallime të rëndësishme ndërmjet SHBA-së dhe Europës.

E para, SHBA-ja faktikisht është një treg i vetëm pune, me punëtorët që lëvizin nga rajoni me papunësi të lartë dhe në rritje në vendet ku kushtet e punësimit janë më të bollshme. Në Europë, tregjet kombëtare të punës faktikisht janë të ndara me kufij të gjuhës, kulturës, fesë, anëtarësim në Union dhe sisteme të sigurimeve sociale.

Për të qenë të sigurt, disa punëtorë në Europë emigrojnë. Në mungesë të shkallës së lartë të mobilizimit që vihet re në SHBA, sidoqoftë, shkalla e përgjithshme e papunësisë mund të ulet vetëm në rast se shtetet me shifër të lartë papunësie arrijnë të zbusin politikat monetare, një opsion ky që pamundësohet nga valuta unike.

Dallimi i dytë i rëndësishëm është se SHBA-ja ka një sistem të centralizuar fiskal. Individët dhe bizneset paguajnë shumicën e tatimeve të tyre në Qeverinë federale në Uashington, e jo në shtetet e tyre (apo tek autoritetet lokale).

Kur aktiviteti ekonomik i një shteti amerikan pëson ngadalësim relativ krahasuar me pjesën tjetër të shtetit, tatimet që individët dhe bizneset e tij paguajnë në qeverinë federale bien, ndërsa fondet që i merr nga qeveria federale (për përfitime të të papunëve dhe për programet e tjera të transferimit) rriten.

Në vija të trasha, çdo dollar i humbur nga GDP-ja në shtetet si Massachusetts apo Ohio shkakton ndryshime në taksat dhe transferimet që kompensojnë rreth 40 centët e kësaj rënieje, duke ofruar një stimulim të qëndrueshëm fiskal.

Një kompensim i krahasueshëm nuk ekziston në Europë, ku taksat pothuajse ekskluzivisht u paguhen dhe transferimet pranohen nga qeveritë kombëtare. Traktati Masstricht i BE-së ua rezervon në mënyrë speciale këtë autoritet të taksave-dhe-transferimeve shteteve anëtare, një reflektim ky i mosgatishmërisë së europianëve për të transferuar fonde për popujt e shteteve të tjera, ashtu siç amerikanët janë të gatshëm të bëjnë për popujt e shteteve të ndryshme.

Dallimi i tretë i rëndësishëm është se të gjitha shteteve amerikane u kërkohet me Kushtetuta që të balancojnë buxhetet e tyre operuese vjetore. Ndërsa fondet “e ditës me shi”, të cilat akumulohen në vitet e bumit, përdoren për të trajtuar shkurtimet e përkohshme të të ardhurave, huatë e “përgjithshme obligative” të shteteve që kufizohen në projekte kapitale, si rrugët dhe shkollat. Madje edhe një shtet si Kalifornia, i cili shihet nga shumëkush si fëmija i shthurjes fiskale, sot ka një deficit vjetor buxhetor prej diç mbi 1 për qind të GDP-së dhe një borxh të përgjithshëm obligativ prej 4 përqindësh të GDP-së. 
Këto kufizime të deficiteve buxhetore në nivel shtetëror paraqesin një ndërlidhje të logjikshme të faktit se shtetet amerikane nuk mund të krijojnë para për të mbushur boshllëqet fiskale. Këto rregulla kushtetuese parandalojnë atë lloj deficiti dhe problemesh me borxhe që kanë pushtuar Eurozonën, ku tregjet kapitale injorojnë pamundësinë e shteteve individuale për pavarësi monetare.

Asnjë prej këtyre shembujve të ekonomisë amerikane nuk do të vlente në Europë, edhe në rast se Eurozona evoluon në një union më eksplicit politik.

Edhe pse forma e unionit politik e prirë nga Gjermania dhe shtetet e tjera mbetet e paqartë, ajo nuk do të përfshinte centralizimin e mbledhjes së të ardhurave, si në SHBA, për shkak se kështu do t’u shkaktohet një barrë edhe më e madhe taksapaguesve gjermanë për të financuar problemet qeveritare në shtetet e tjera. E as unioni politik nuk do të shtonte mobilitetin e punës përbrenda Eurozonës, që të tejkalonte problemet e shkaktuara nga imponimi i një politike të përbashkët valutore në shtetet me kushtet e ndryshme ciklike apo të përmirësonte performancën tregtare të shteteve që nuk mund të zhvlerësojnë normat e tyre të këmbimit për të rikthyer konkurrencën.

Ndikimi më i mundshëm i forcimit të unionit politik në Eurozonë do të ishte sikur Gjermanisë t’i jepej kompetenca për të kontrolluar buxhetet e shteteve të tjera dhe ajo e urdhërimit të ndryshimeve në tatimet dhe shpenzimet e tyre. Ky transferim zyrtar i sovranitetit vetëm sa do të rriste tensionet dhe konfliktet që tashmë ekzistojnë ndërmjet Gjermanisë dhe shteteve të tjera të BE-së.

(Martin Feldstein, profesor i ekonomisë në Harvard, ishte shef i këshillit të këshilltarëve ekonomikë të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan, dhe ishte shef i Byrosë Kombëtare për Hulumtime Ekonomike. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”)

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi14:30 - 05 Dhjetor 2011
    Pati edhe mjaft te nxituar para kohe ne ide o teorira se euro e shypi dollarin,qe kur lindjes se Evropes se re,s'ja kishin pastruar trupin nga pjeset e pa nevojshme te nje lindjeje te zakonshme. Kur ligji filozofik popullor thote:Dardha e ka bishtin prapa.Ndoshta kete ligj popullor s'e njohin mjaft shtete te vropes,le te jete ky ligj qe hyn kudo ku kryhen ndryshime.