English

Rama- Ahmeti: PS do rrisë komunikimin me shqiptarët në rajon

Shkup, 5 dhjetor 2011, NOA- Në vijim të qëndrimit të tij në Maqedoni, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka takuar kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Gjatë fjalës së mbajtur për mediat, Rama tha se u bisedua gjerë e gjatë mbi Shqipërinë, mbi Maqedoninë, marrëdhëniet mes vendeve, mes partive, por dhe mbi librat.

“Dëshiroj të nënvizoj konsideratën e lartë për Ali Ahmetin, si një pikë referimi për të gjithë shqiptarët, për kurajon, integritetin dhe vizionin që e karakterizon. Posaçërisht për durimin në përballimin e të gjitha proceseve dhe futjen e këtyre proceseve në një hulli të arsyes”, u shpreh Rama.

Më tej kryesocialisti theksoi se, Partia Socialiste dhe opozita shqiptare e ndjen të nevojshme rritjen e pranisë dhe të komunikimit me të gjithë faktorët shqiptarë në rajon.

Ndërkaq lideri i BDI, Ali Ahmeti, tha se pati mirëkuptim për temat që u folën, për rrugëtimet e përbashkëta që presin në të ardhmen si shtet dhe si parti.

Po ashtu Ahmeti pohoi se e ka njohur Ramën për programin e përbashkët për qeverisjen e Maqedonisë, “Folëm për situatën politike në Maqedoni. Njoftova z.Rama në lidhje me proceset në Maqedoni, marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit, arritjet, sidomos për interpretimin autentik të ligjit në rastet e Hagës, për rregullimin e çështjeve të përdorimit të simboleve, për avancimin e gjuhës dhe programin e përbashkët që partnerët marrin për të bashkëqeverisur vendin. E përgëzova Ramën për arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim për integrimin e Shqipërisë në BE. Jemi të gëzuar se kjo është një marrëveshje për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Në përfundim Rama dhe Ahmeti pohuan se kanë shkëmbyer me kënaqësi librat me njëri-tjetrin.

a.y/NOA

KOMENTE