Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA- Kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, Albtelecom ka marrë sot çmimin e ekselencës për shërbimet e internetit me bandë të gjerë (broadband). Çmimi është akorduar nga Infocom Albania, gjatë një konference për telekomunikacionin shqiptar të zhvilluar në Tiranë.
Çmimi i është dorëzuar drejtorit të përgjithshëm të ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coskun nga zv/ministri i inovacionit dhe teknologjisë së informacionit Visho Ajazi. Albtelecom ka qenë kompania e parë të cilës i është akorduar një çmim gjatë forumit “Infocom Albania 2011”, organizuar për të tretin vit radhazi në Shqipëri.
“Jemi të lumtur që marrim një çmim të tillë, si një vlerësim për punën e qindra kolegëve në Albtelecom që kanë punuar ditë e natë, shpesh në kushte të vështira të terrenit dhe motit për të shtrirë internetin anekënd Shqipërisë. Këta heronj të heshtur kanë shtruar më se 1000 kilometra linja optike në të gjithë vendin, duke lidhur shqiptarët me njëri tjetrit dhe Shqipërinë me botën” tha Dr. Coskun pas marrjes së çmimit. Drejtues të kompanive të telekomunikacionit në Shqipëri, kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me problemet, zhvillimet dhe risitë e këtij sektori shumë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Në një prezantim për të pranishmit, zv/drejtori i përgjithshëm i Albtelecom dhe Eagle Mobile, Baki Kuran deklaroi se “këto dy kompani kanë investuar më se 150 milionë euro për rinovimin e infrastrukturës, shtrimin e linjave të reja optike, modernizimin e kompanisë, shtimin e kapacitetit të internetit përmes linjës Bari-Durrës” etj. Sipas z. Kuran, “brenda një viti Albtelecom e ka dyfishuar mbulimin e popullsisë me internet kabllor dhe pa kabull nga 45 për qind në 92 për qind. Albtelecom së fundi ka kaluar në teknologjinë NGN” shtoi z. Kuran.
a.y/NOA