English

Apoloni, rihapet muzeu pas 20 vjetësh që qëndronte i mbyllur

Në muze do të ekspozohen rreth 750 objekte arkeologjike, 1 thesar monedhash antike etj. Eshtë muzeu më i madh arkeologjik i një Parku në Shqipëri

Fier, 6 Dhjetor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Është rihapur pas njëzetë vitesh muzeu arkeologjik i Apolonisë. Ceremonia e inaugurimit të muzeut është kryer në mesditën e djeshme në mjediset e qendrës muzeale të këtij qyteti antik.

Merrnin pjesë në aktivitet ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi, Zineb Benxhelun përfaqësuese e OKB për Shqipërinë, Engelbert Ros përfaqësues i UNESCO-s, zyra e Venecias. Janete Papadhopulos, përfaqesuese e zyrës së Ndihmës kulturore Itali, këshilltari i Kryeministrit Z. Neritan Ceka, etj.

Ministri Aldo Bumçi në fjalën e tij tha se Muzeu i Apolonisë është një nga të të rëndësishmit në Shqipëri dhe gjithashtu një motor zhvillimi kulturor dhe turistik jo vetëm për zonën por për gjithë vendin.

Sipas Bumcit, rihapja e këtij muzeu është një tregues i qartë i potencialit turistik që ka vendi. Bumçi theksoi se Qeveria Berisha i ka kushtuar vëmendje të veçantë turizmit kulturor, dhe se këtë e tregon edhe buxheti i vitit 2012 i miratuar për këtë Ministri.

Nga ana tjetër ministri Bumçi nuk la pa falënderuar edhe bashkëfinancuesit në këtë projekt. Ai shtoi gjithashtu se sipas një studimit të kryer nga organizma ndërkombëtarë pasuria turistike e vendin tonë krijon të ardhura më shumë se sa resurset e pasura e të mrekullueshme natyrore të Shqipërisë. Dhe një nga këto potenciale përfundoi ai është edhe qyteti antik i Apolonisë dhe ky muze.

Ndërsa studiuesi dhe arkeologu Neritan Ceka tha se në projektet e Qeverisë Shqiptare, Apolonia e lashtë pas pesë vitesh do të jetë qendra e Shqipërisë jugperëndimore përsa i përket turizmit.

Sipas tij ende nuk ka përfunduar projekti i sapunisur: “Ky është vetëm fillimi i një pune të nisur prej disa vitesh në ekspozimin dhe paraqitjen e asaj se çfarë ruan dhe është në të vërtetë Apolonia e lashtë”-përfundoi ai.

Projekti i restaurimit të muzeut të parkut arkeologjik të Apolonisë ka nisur disa vite më parë pas një marrëveshjeje të OKB-së, UNESCO-s dhe Qeverisë Shqiptare për ruajtjen e vlerave arkeologjike. Rreth 750 Objekte të periudhave të ndryshme të zhvillimit të qytetit antik të Apolonisë janë ekspozuar në një godinë me një sipërfaqe prej më shumë se 1000 m2.

Muzeu i Apolonisë daton që prej viteve 80-të, por ai u mbyll për shkaqe sigurie pas viteve ‘90. Objektet arkeologjike që prej asaj kohe ruheshin në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Tashmë ato i janë rikthyer vendit ku u zbuluan, parkut arkeologjik të Apolonisë.

a.y/NOA

KOMENTE