Nga Artan Fuga Keqkuptimet në njohjen e së kaluarës së largët apo të kulturave të tjera vijnë edhe se mjaft terma që dikur kanë qenë të mbivendosur te njëri-tjetri, pra pjesë e të njëjtit koncept, me kohë janë distancuar reciprokisht midis tyre. Aq sa edhe mund të mos kenë më lidhje me njëri-tjetrin.
Studiuesi i ngurtë i shkencave humane dhe shoqërore, këtë shpërthim terminologjik që ndodh shpesh në historinë e kulturës nuk dëshiron ta vërë re dhe konceptet e veçuara tashmë prej njëri-tjetrit kërkon t’i rimbledhë me sforco.
Nuk mund të mos përmend një analizë që bën themeluesi i Hermeneutikës, Gadamer, kur shpjegon se përse përpara epokës mesjetare dhe gjatë fazës së hershme të saj, në moral dhe në filozofi, përgjithësisht në arsyetimet mbi shoqërinë, “e mira”, “e bukura” dhe “e dobishmja” konsiderohen si tre koncepte, të cilët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. I miri është edhe i dobishëm, por edhe i bukur. Kur sot bëhet përpjekje për ta legjitimuar këtë koncept me sofistikime shumë të ndërlikuara dhe shpesh të pakuptueshme arsyetimesh, harrohet një element shumë i rëndësishëm që vendos në dukje Gadamer.
Në ato kohëra të largëta, profesioni i artizanit dhe i artistit nuk ishin të ndarë prej njëri-tjetrit. Artizani ishte edhe artist, ndonëse në ditët tona, duke nisur që nga fundi i Mesjetës, midis tyre nuk ka asnjë lidhje të afërt që t’i bëjë të ngatërrohen midis tyre. Një pikturë, një skulpturë, një ornament, sot, si produkte artistike, mund të jenë shumë të bukur, pa pasur nevojë që të kenë edhe një përmasë utilitare të spikatur, pra të përdoren prej njeriut për një qëllim praktik përftimi dobie.
E mira dhe e dobishmja për ne, sado që të kenë lidhje dhe bashkëveprim reciprok, përsëri nuk janë të lidhura mes tyre në një sistem të vetëm të pandashëm. Kurse, sidomos, përgjatë periudhës mesjetare që përbën një nga traditat më të fuqishme të konceptualitetit europian, artisti dhe artizani ishin i njëjti zanat. E bukura ishte si rregull edhe pjesë e së dobishmes dhe e së mirës. Jo më kot pikturat dhe afresket më të njohura të asaj periudha janë shprehur në zbukurimin e kishave apo objekteve të tjera të kultit që kishin një utilitaritet social qendror. Jo më kot ndërtuesi ishte shprehësi i cilësive arkitekturore kur ngrinte katedralet, të cilat i kushtoheshin së mirës morale dhe hyjnore. Po kështu edhe muzika e kultivuar ishte kishtare, koralet më të spikatura ishin në shoqërim të ritualit fetar, e kështu me radhë.
Shumë fjalë qendrore të gjuhëve të vjetra ngërthenin kuptime të mbivendosura, ishin, pra, fjalë të integruara, kurse me kalimin e kohës, kuptimi i tyre është zbërthyer. Nga një fjalë e dikurshme analitike kanë lindur fjalë dhe terma, koncepte, që në natyrën e tyre të sotme janë analitikë, të veçuar.
Është shumë domethënës një arsyetim i Zhak Derrida-s, lidhur me filozofinë greke të Lashtësisë, i cili zgjidh një dilemë të rëndësishme për lidhjet konceptuale midis terminologjisë që sot mbulohet prej koncepteve të tilla, si “autoriteti atëror”, “pronësia mbi tokën”, “drita ndriçuese”, “e mira” etj. Këto koncepte sot gjuhësisht janë të ndarë midis tyre. Ata nuk kanë lidhje dhe bashkëveprim semantik të domosdoshëm midis tyre. Mirëpo, sikurse argumenton Derrida, sipas një analize të spikatur, në greqishten e lashtë këta terma, që për ne janë të ndryshëm, atëherë kishin një mbivendosje të caktuar linguistike.
Marrëdhënie sociale që dikur shiheshin si të vendosura brenda një nënsistemi të njëjtë shoqëror, pra të quajtura me fjalë të përafërta ose me rrënjë të njëjtë midis tyre, tanimë, ngaqë këto marrëdhënie janë specializuar, shkëputur nga njëra-tjetra, madje edhe veçuar, ato quhen, shenjohen, me terma të cilët nuk kanë më lidhje të brendshme logjike mes tyre. Mirëpo, punëtori i cekët i shkencave sociale dhe humane, duke mos qenë edhe historian i gjuhës, i kulturës, duke mos qenë medoemos edhe sociolog i kulturës, kërkon medoemos të legjitimojë arsyetimin e tekstit të vjetër, shumë të rëndësishëm, nëpërmjet sistemit të sotëm semantik, i cili, në fakt është krejt i ndryshëm nga i pari. *
Në vend pra të shpjegojë se nuk ka vazhdimësi semantike midis një koncepti të vjetër dhe një koncepti të ri, ndonëse mund të ndodhë të quhen me të njëjtin term, pra të shpjegojë etimologjikisht përmbajtjen linguistike të termave të vjetër, të shpjegojë dallimin midis origjinës së tij etimologjike dhe përmbajtjes së tij të sotme semantike, ndodh që krijon alambikime për të treguar se kemi të bëjmë me të njëjtin koncept.
Mendësia e njeriut bashkëkohor kërkon t’u imponohet kështu mendësive të njerëzve të kohëve të shkuara. Shkencat humane dhe sociale shndërrohen në ideologji, humbasin nocionin e kohës, bëhen krejt të paafta që të kuptojnë historinë si ndryshim në radhë të parë kulturor, dhe e gjithë historia e së shkuarës nuk bëhet tjetër pastaj, veçse një projektim iluzor i mendësive dhe kuptimësive të sotme, të projektuara në një “ekran” që gabimisht e quajmë e kaluara e shoqërisë.
Historia e së shkuarës nuk bëhet kështu veçse shtrirja e mendjes dhe e së tashmes sonë mbi të kaluarën. Historia dhe kuptimi i saj i vërtetë na shpëtojnë nga duart. Biem viktima të hulumtimeve tona duke ndërtuar një imazh për të kaluarën, që në fakt nuk është veçse dyfishimi i së sotmes sonë, i mënyrave sesi brezat e sotëm e kuptojnë botën dhe shoqërinë.
"Mapo"