Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e Qeverisë të ditës së sotme Kryeministri Berisha duke iu referuar buxhetit të vitit 2012 i cili u miratua ditën e djeshme në parlament pa konsensusin e opozitës tha se, modeli ekonomik synon rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, Berisha tha se, “Modeli ekonomik i kësaj qeverie shpëtoi Shqipërinë nga kriza e thellë, që përfshiu Europën dhe Botën dhe bëri që leku të tregohet lekë i vërtet”.
Sipas tij, buxheti garanton zbatimin e të gjitha projekteve të Shqipërisë dixhitale, objektivi më madhor për 100 vjetorin e Pavarësisë si dhe mbështet projektet më ambiciozë në infrastrukturë, ujëra, shkolla, spitale dhe në projektet e mëdha kombëtare, të ullirit, arrorëve etj.
Sakaq Kryeministri shprehu keqardhje që opozita votoi kundër buxhetit të vitit 2012 dhe e ftoi atë që të sjellë propozime konkrete që ulin varfërinë në vend, ndërsa cilësoi model shkatërrues propozimet që Partia Socialiste shpalosi në Parlament për taksat.
“Unë e falenderoj opozitën për diskutimet për buxhetin dje në parlament, por konsideroj si marksiste propozimet e opozitës për taksat në vend. Shpreh keqardhjen e thellë, për disa propozime të cilat synonin pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e modelit të tregut me modelin marksist. Sidomos tani që kthyen në Asamble gjithë byroja, të gjithë fëmijët e bllokut”, deklaroi Berisha.
Sakaq më herët Rama në një qëndrim në adresën e tij në Twiteer u shpreh se, “Qeveria refuzoi propozimin tonë për uljen e taksave për rrogëtarët e zakonshëm dhe heqjen e TVSh-së për bukën, qumështin, ilaçet”.
a.y/NOA