Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA- Pak çaste më parë Kryeministri Berisha e më pas ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Alexander Arvizu uruan për festën e Hashures dhe shkuan Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku uruan Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
Pas përfundimit të takimit Berisha u shpreh se, “Festa e Hashures është një rast shumë i veçantë për të përcjellë urimet më të përzemërta dhe nderimet më të thella bektashinjve shqiptarë. Mund të konsiderohet ditë e mrekullive të mëdha në jetën shpirtërore të botës islamike por edhe një ditë universale për të gjithë besimtarët e Zotit. Ne festojmë hashuren në prag të 100 vjetorit të pavarësisë të vendit, është një rast të shpreh nderimin më të thellë që bektashinjtë shqiptarë kanë dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Bektashinjtë në çdo kohë, rrethanë e rast kanë qëndruar në anën e kombit dhe vendit, kanë mbështetur peshën e drejtë me sakrifica të mëdha, ndaj uroj që hashuren tjetër ta festojmë më të gëzuar e më të lirë”.
Në të njëjtën linjë ambasadori Arvizu, e cilësoi si një ditë e veçantë duke shprehur vlerësimin për rolin që Baba Mondi dhe komuniteti bektashi luan jo vetëm në Shqipëri por edhe për besimtarët në të gjithë botën.
a.y/NOA