English

Fule: Heqja e barrikadave zhvillim pozitiv

Bruksel, 6 dhjetor 2011, NOA – Ndërsa vijon heqja e barrikadave serbe në Jagnjenicë, në aksin rrugor, që lidh Zveçanin me Zubin Potokun, në veri të Kosovës, kjo lëvizje e serbëve lokalë është përshëndetur nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule, i cili e cilësoi një zhvillim pozitiv, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Ky zhvillim pozitiv don të thotë që Serbia është vënë në lëvizje për të mos mbetur prapa në rrugën e saj drejt të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Fule bëri me dije mbrëmë, se heqja e barrikadave, është diskutuar nga Ministrat e Jashtëm të BE-së.

Kjo pritet t’u rekomandohet edhe liderëve të BE-së në samitin e nesërm, me qëllim që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Fule nuk dha detaje mbi përfundimet e takimit, por ai përshëndeti vijimin e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ndërkohë sot serbët lokalë po vijojnë të heqin barrikadat dhe zhavorrin e hedhur në rrugën e Jagnjenicës.

Heqja e barrikadave po mbikëqyret dhe ndihmohet edhe nga ushtarët e KFOR-it, të cilët janë në vendngjarje me automjetet e tyre.

mit/NOA

KOMENTE