English

Kapen 6 kg marijuanë në Kakavijë

Kakavijë, 6 dhjetor 2011, NOA – Një 41-vjeçar nga Memaliaj dhe banues në Jergucat të Gjirokastrës ka rënë nën prangat e policisë, ndërsa u gjet me disa kilogramë drogë në makinën e tij, kur po udhëtonte drejt Athinës, informon korrespondenti i agjencisë NOA.al.

41-vjeçari Anestis Nikolla, i rënë nën dyshimet e policisë pas informacioneve në rrugë operative, u kap në makinën e tij Benz me targa Tirane teksa transportonte nga Kakavija në drejtim të Greqisë lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit në doganën e Kakavijës, mbrëmë rreth orës 22.00, në makinën Benz me targa TR 21 20 I, që drejtohej nga Anestis Nikolla, u gjetën gjashtë pako në formë cilindrike, të fshehura nën sendiljen e pasme.

Gjashtë pakot e drogës, afro 4 kg në total, ishin të mbështjella me letër natriban dhe brenda kishin marijuanë.

Më pas policia ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e Anestis Nikolla, ku zbuloi një kuti kartoni në dhomën e tij të gjumit, në të cilën kishte fshehur një boçe plasmani me lëndë narkotike dhe tre qese të tjera me mostra për t’ua shpërndarë personave të interesuar, afro 2 kilogramë marijuanë.

Sipas hetimeve Anestis Nikolla e kishte blerë marijuanën në fshatin Lazarat dhe do ta transportonte për në Athinë.

Ai është nën akuzë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

mit/NOA

KOMENTE