English

Komisioni i Venecias: KQZ e re, me njerëz larg politikës

Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR japin rekomandime për reformën zgjedhore në Shqipëri. Rekomandohen persona jopolitikë dhe të paanshëm për komisionet zgjedhore dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Tiranë, 6 Dhjetor 2011 - Komisioni i Venecias, një organ këshillimor i Këshillit të Europës, u vu në lëvizje në fund të gushtit nga sekretari i përgjithshëm, pas mbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit dhe polemikave të ashpra që shkaktoi veçanërisht gara për kryebashkiakun e kryeqytetit. Në letrën e tij sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës kërkonte që propozimet t’i jepnin zgjidhje problemeve të dala veçanërisht në Tiranë, në mënyrë që “situata të tilla të mos përsëriten më”, shkruante ai.

Në projektin e hartuar nga dy anëtarë dhe një ekspert i Komisionit të Venecias si dhe një ekspert i ODIHR-it, - të cilin e publikoi sot “Zëri i Amerikës” - vëmendje e veçantë i kushtohet aspekteve që lidhen me zgjedhjet vendore të cilat në Kodin aktual “ishin lënë pas dore”. Ekspertët japin sugjerime për ndryshime dhe përmirësime në shumë prej neneve, ndërsa në mënyrë të përmbledhur propozimet e tyre kanë të bëjnë me “..rregulla që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore”, në rastet kur ata zëvendësohen, një praktikë e përdorur shpesh nga partitë, apo “rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qenësishëm”, sikundër nuk konsiderohet normale që në momentin e shortit për anëtarët e kolegjit zgjedhor një gjykatës mund të refuzohet pa motivacion.

Pas problemeve të mëdha që u vunë re me numërimin e votave në Tiranë, dhe veçanërisht me ato të hedhura në kutitë e gabuara, propozohen “ndryshime dhe qartësime në procedura” duke kërkuar “përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve”. Po ashtu, sugjerohet që “të specifikohet qartësisht se si duhet të veprohet në rastet kur votat dhe kutitë me materiale merren në dorëzim si të rregullta e pastaj dalin me problem serioze”.

Ekspertët janë të mendimit se në Kod “duhet të mbahen më mirë parasysh specifikat e zgjedhjeve vendore, në veçanti ato që lidhen me aksesin në media, financimin e fushatës dhe veçantitë e zgjedhjeve në Tiranë”. Si dhe “eliminimi i boshllëqeve të tjera dhe paqartësive, përsa i përket për shembull, zbatimit të pragut në zgjedhjet vendore, kërkesat mbi përfaqësimin gjinor dhe ankimimet”.

Por për ekspertët “sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jo politik dhe të paanshëm. Ky ndryshim – theksohet - është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulet polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”.

Duke ju referuar Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, theksohet se “aty ku nuk ka një traditë të gjatë pavarësie të autoriteteve të administratës nga pushteti politik, komisionet në të gjithë nivelet duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme. Megjithëse nuk ka një formulë të vetme të këshillueshme për përbërjen e organit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, paanësia e anëtarëve të tij në ushtrimin e funksioneve të tyre, është e një rëndësie themelore dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Pavarësisht se si është strukturuar administrata zgjedhore, është e rëndësishme që jo vetëm të funksionojë në mënyrë të paanshme, por edhe të perceptohet nga publiku se po e bën një gjë të tillë”. Sipas ekspertëve “ka disa variante për të reduktuar polarizimin, që nga rritja e numrit të institucioneve që emërojnë anëtarë, duke ftuar institucione të ndryshme publike që të emërojnë përfaqësuesit e tyre, mes të cilëve një anëtar i sistemit gjyqësor ose anëtarë të pavarur të shoqërisë civile. Një gjë e tillë – vlerësojnë ekspertët - mund të rriste efikasitetin e administratës zgjedhore dhe të kontribuonte në arritjen e konsensusit”. Por më pas, ata vetë janë të ndërgjegjshëm në vështirësinë e arritjes së një administrate zgjedhore jo politike në Shqipëri. “Duhet njohur se në mjedisin aktual politik në Shqipëri, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të identifikohen individë apo ente që konsiderohen të paanshme, të cilave mund t’u besohet detyra për të emëruar anëtarë të paanshëm të KQZ”, shprehen ata duke shtuar se “kjo megjithatë nuk duhet t’i pengojë autoritetet që të kërkojnë ta shohin si një mundësi për ta trajtuar”.

Në dokumentin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it saktësohet se një peshë të madhe ka vullneti i forcave politike për të zbatuar ligjet. “Nuk është e sigurt se problemet e përsëritura në zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri mund të zgjidhen vetëm me ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Eksperienca e fundit me zgjedhjet vendore në Shqipëri, tregoi se edhe një legjislacion zgjedhor gjithëpërfshirës dhe i detajuar, nuk garanton zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje të plotë me angazhimet e OSBE-së dhe Këshillit te Evropës dhe standardeve të tjera ndërkombëtare, në mungesë të vullnetit të mirë mes aktorëve kyç për të zbatuar ligjin në mënyrë të paanshme dhe të ndershme. Kjo – shtojnë ekspertët - i detyrohet në veçanti, një mjedisi të karakterizuar nga polarizimi i rënduar dhe mungesa e besimit mes dy partive kryesore politike. Ndryshimi i sjelljes dhe praktikave nga grupimet kryesore dhe udhëheqësit e tyre është për pasojë i një rëndësie thelbësore, sikundër dhe paanësia e administratës elektorale”, theksohet në projekt Opinion.

Duke ju referuar diferencës shumë të vogël të votave në garën për Bashkinë e Tiranës saktësohet se “çdo detaj kthehet potencialisht vendimtar dhe detyra e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike”.

KOMENTE