English

Një libër i rëndësishëm për historinë tonë

Nga Pirro Misha

Arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. ...Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit... Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, - fap fap – i ekzekutonin.... Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra... Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. ...Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme.”

Fragmenti i mësipërm bën fjalë për pushtimin osman të Shqipërisë. Ose më mirë të themi, të asaj çka kishte mbetur ende e papushtuar prej saj, pas dhjetëra vjetësh luftërash të përgjakshme, kur sulltan Mehmeti II mori më në fund Krujën e pas saj, Shkodrën. Është nxjerrë nga një libër, i sapobotuar në shqip, me titullin “Kronikat e Tursun beut”, që ka për autor një ndër emrat më të njohur të literaturës së hershme osmane, njëherësh kronist zyrtar i sulltanit. Në fakt, kronikat e Tursun beut konsiderohen ndër dëshmitë më të vyera osmane për bëmat e sulltan Mehmetit II, një prej sulltanëve më të famshëm osmanë, i quajtur ndryshe dhe Mehmet Pushtuesi. Por po ashtu, një ndër dëshmitë më të rëndësishme për atë periudhë kur, pas gati njëqind vjet luftërash, përmbyllet pushtimi osman i asaj pjese të Europës që më pas u quajt Ballkan, duke nisur kësisoj periudhën disashekullore të sundimit osman.

Pra, kuptohet që vlera më e madhe e këtij botimi në shqip është dëshmia që ai na sjell për një nga periudhat më dramatike të historisë sonë, e cila deri më sot është rrëfyer kryesisht duke u mbështetur në burimet historike të atyre që iu kundërvunë pushtimit osman. Kronikat e Tursun beut na sjellin anën tjetër të medaljes, shikimin osman të këtyre pushtimeve. Para se të vazhdoj më tej sidoqoftë, më duhet të bëj një parantezë për ata që s’e kanë marrë ende këtë libër në duar, duke sqaruar se ai s’i kushtohet thjesht Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përkundrazi, vetëm 3 nga 49 kronikat që përfshihen në libër, kanë të bëjnë me shqiptarët: kronika ku përshkruhet nënshtrimi nga ana e osmanëve e krahinës së Elbasanit; kronika për pushtimin e Krujës dhe ajo për pushtimin e Shkodrës, me të cilin mund të thuhet se përmbyllet pushtimi osman i vendit tonë. Por, duhet thënë se kjo s’e pakëson aspak vlerën e këtij libri. Dhe kjo për një sërë arsyesh që e bëjnë këtë libër të veçantë.

Së pari, për faktin se kemi të bëjmë me një nga dëshmitë më të rëndësishme, të një autori që përgjithësisht vlerësohet se ka lënë pas një ndër monumentet e literaturës së hershme osmane, që studiuesit e çmojnë lart si për objektivitetin ashtu dhe për realizmin. Tursun Beu, i lindur më 1426 (pra thuajse bashkëmoshatar me sovranin) dhe i vdekur, me ç’besohet, në vitin 1499, e ndoqi pas sulltan Mehmetin II në pothuajse gjithë fushatat që ky ndërmori në Europë dhe në Azi, duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i tyre. Pra, Tursun beu ishte vetë dëshmitar i asaj që shkruan për Shqipërinë dhe e vendos pushtimin e Shqipërisë në kontekstin më të gjerë të historisë së kohës. Le të shtojmë këtu se një ndër pjesët më të vlerësuara të këtyre kronikave është ajo për pushtimin e Kostandinopojës, kryeqytetit famëmadh të një perandorie mijëvjeçare, të cilën shumëkush e sheh si një prej dëshmive më të besueshme të një ngjarjeje nga më të rëndësishmet e dramatiket të historisë.

Arsyeja tjetër që e bën këtë libër të veçantë është fakti se, ndryshe nga një pjesë e madhe e kronikave të thata e të mërzitshme, e për më tepër shpesh të pabesueshme, të kohës së tij, kronikat e Tursun beut kanë aftësinë të krijojnë tablo të gjalla jo vetëm për ngjarjet, por para së gjithash për atmosferën e mendësinë e asaj periudhe sa të largët aq dhe të afërt për ne, kur ke parasysh vendin që vazhdon të kenë në kujtesën kolektive të shqiptarëve, apo dhe të popujve ballkanikë në tërësi, ndodhitë e figurat e atyre viteve, që sollën një ndër thyerjet më të mëdha të rrjedhës së deriatëhershme të historisë.

Por padyshim ajo që e bën këtë libër krejt të veçantë, janë dy elementë, që historiografia e mëpasme i ka minimizuar, ose madje dhe mënjanuar apo censuruar. E kam fjalën, së pari, për karakterin e motivimin fetar të luftës, krejt në përputhje me logjikën e kohës. Në fakt, për kronistin osman çdo pushtim i ri bëhej në emër të fesë dhe është i përligjur pikërisht, sepse shërben për të marrë nga të pafetë, duke ia shtuar viseve të islamit, një tjetër vend. Por, së dyti, gjëja padyshim e re që sjellin këto kronika është simbolizmi i qartë erotik që përshkon gjithë rrëfimin, duke na dhënë kështu një dimension të panjohur të mendësisë dhe të zakoneve të asaj kohe. Në fakt, kush lexon këtë libër s’ka si t’i shpëtojë fakti sesi çdo pushtim e nënshtrim vendesh, popujsh, mbretërish, kështjellash e qytetesh, për Tursun beun përbën para së gjithash, një objekt që përmbush një dëshirë me nëntekst të qartë erotik, ku ajo që të bie veçanërisht në sy është orientimi qartazi biseksual i autorit (dhe jo vetëm i atij). Qytetet e kështjella që përhijen si “vegimi i nuses së premtuar” që s’të lënë ta bësh gjumin të qetë pa i pushtuar, apo luftëtarë që sulen përpara pa frikë, duke ëndërruar “djelmoshat me tipare engjëllore dhe vashat me pamje hyjnish”, që shpresojnë të shtien në dorë.

Dhe së fundi, duhet thënë se ky libër vjen pikërisht në një kohë kur më shumë se kurrë më parë, janë ndezur polemikat e diskutimet për mënyrën se si duhet parë e treguar periudha e gjatë e sundimit osman. Polemika që më së shumti s’kanë të bëjnë me nevojën për një rishqyrtim kritik e serioz të kësaj periudhe të rëndësishme të së shkuarës, i cili duhet bërë si pjesë e rileximit të mbarë historisë sonë, duke iu shmangur skematizimit me frymëzim romantik e nacionalist që ka karakterizuar përgjithësisht deri më sot, si në gjithë historiografinë ballkanike, trajtimin e raporteve tona me Perandorinë Osmane. Kjo sigurisht, duhet bërë sa më shpejt e sa më mirë, njëlloj si dhe për shumë faqe e kapituj të tjerë të historisë sonë. Por fatkeqësisht, një pjesë e madhe e polemikave më shumë se sa për të vërtetën historike, s’kanë tjetër qëllim veç atij për ta përdorur (e keqpërdorur) edhe një herë historinë në funksion të interesave e orientimeve politike apo dhe gjeopolitike të momentit, duke zëvendësuar rrjedhimisht, klishetë e vjetra me klishe të reja.

Pra, le të shpresojmë se ky libër gjithsesi, do të ndihmojë për të hedhur më qartë dritë mbi një periudhë që sigurisht s’ka të bëjë me tërë kohëzgjatjen e sundimit osman, por që lidhet sidoqoftë, me një çast tepër të rëndësishëm të marrëdhënieve tona me Perandorinë.

"Shqip"

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi15:08 - 06 Dhjetor 2011
    Shqiperia me nje histori per popullin e saj me shume i skllaveruar,torturuar,neneshtruar,varferuar,s'ka pasur mundesira per te zbardhur te vertetat e saj.C'do pushtonjes qe vinte e milte,mjeronte duke i dhene pak dhe gllaberuar shume.Mbi te gjithe pushtonjesit, sundimi osman dhe ai komunist i cfiliten shqiptaret.E vertetojne faktet qe rudimentet e sundimit te tyre ende leshojne metastaza ku te mundin.A nuk jemi shtet pa votime te ndershme? s'eshte kjo nje metastaze nga diktatura? Do te thote qe hulumtonjesit tane kane mjaft pune per te mos lene ne eresire gjithecka qe i takon ketij populli te stermunduar nder shekuj.Ketu buron edhe mirenjohja per punen e tyre,sikunder vlersoj dhe pershendes Z.Pirro Misha per librin e tij te ri,i cili ndricon edhe fakte te reja.Urime dhe pune te mbare.