Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, edhe nesër, që në orët e para të mëngjesit në vendin tonë do të vazhdojnë të bien reshje të dobëta shiu ndërsa mesdita do të sjellë dobësim të vranësirave në veri të Shqipërisë duke bërë që intervalet me kthjellime të jenë dominuese në këto zona.
Gjatë pjesës së dytë të ditës vranësirat dhe shirat do të largohen nga zona e ulët dhe ajo bregdetare duke bërë që kthjellimet të ri-kthehen në territor por zonat malore veriore dhe ato Lindore do të mbeten me vranësira dhe reshje të dobëta shiu e dëbore. Në orët e mbrëmjes parashikohet që i gjithë territori të dominohet nga mot i kthjellët.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë 3- 4 gradë rënie, kjo për shkak të qarkullimit të masave ajrore të ftohta dhe të lagështa që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit Europian.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me 40 km/h dhe drejtim verior - veriperëndimor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë 3 ballë.
Europa
Sërish nesër, Europa Veriperëndimore dhe ajo Verilindore do të jenë me vranësira dhe shira por edhe gjatë kësaj dite do të ketë dëborë të dendur konkretisht në Vendet Nordike si dhe Rusi. Mot i paqëndrueshëm me vranësira dhe shira do të dominojë në Europen Qendrore ndërsa Vendet Balltike do të mbeten me reshje shiu dhe dëborë të dendur. Po ashtu do të paraqitet situata në Rajonin e Mesdheut, mot me vranësira dhe shira të konsiderueshëm si dhe në Zonën e Alpeve do të vazhdojnë reshjet e dëborës. Gjatë pjesës së dytë të ditës masat ajrore të ngopura me lagështirë do të vendosen në Europën Juglindore duke ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të vranësirave dhe për rrjedhojë në gjenerimin e shirave intensiv.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Vendet Nordike do të mbeten me dëborë të dendur dhe erë të fortë
- Vendet e Balltikut rrezikohen nga reshje shiu dhe dëborë
- Zona e Alpeve do të ketë reshje të dendura dëbore
- Greqia dhe Turqia alarmojnë për shira të konsiderueshëm
a.y/NOA