English

SHBA reagon zyrtarisht për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit

Prishtinë, 6 dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë deklaroi sot se ajo mirëpret marrëveshjen e arritur së fundi për MIK ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Siç ka qenë rasti edhe me marrëveshjet e tjera të arritura brenda kornizës së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, Qeveria e Kosovës ka treguar maturi dhe fleksibilitet në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Serbinë”, thuhet në qëndrimin zyrtar të ambasadës, publikon agjencia e lajmeve NOA.al. SHBA vlerëson se pakti mbron dhe avancon interesat e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

“Marrëveshja për MIK mbështetet në mirëkuptimin e shtatorit 2011 ndërmjet Kosovës dhe BE-së e KFOR-it që ka vendosur kontrollin doganor dhe kufitar në pikat veriore kufitare të Kosovës dhe ka garantuar që Kosova do të ushtrojë kontroll mbi të gjitha kalimet e saj kufitare”, - vlerëson selia diplomatike amerikane në Prishtinë.

Kurse thekson se marrëveshja për MIK po ashtu siguron që zyrtarët doganorë dhe kufitarë të Kosovës do të qëndrojnë në portat veriore për të ushtruar mandatin e tyre sipas ligjit të Kosovës.

Tani është koha që edhe bllokadat e tjera ilegale të rrugëve në pjesën veriore të Kosovës të hiqen, thekson ambasada dhe shton: “ Ato bllokada të rrugëve po pengojnë KFOR-in dhe EULEX-in për të ushtruar përgjegjësitë e tyre anekënd Kosovës në pajtim me mandatet e tyre përkatëse”.

Në fund të qëndrimit, thuhet: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se duhet të ketë liri të lëvizjes pa kusht kudo nëpër Kosovë për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

r.b/NOA

KOMENTE