English

Tirana nën dritat e arta të Fundvitit, atmosfera ndizet nga dekori festiv

Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas përmbylljes së festave të Nëntorit, ku bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshet kryesore të Tiranës u hijeshuan nën ngjyrat kuq e zi, ditët e para të dhjetorit po na ftojnë të gjithëve në festat e bukura të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Kushdo që ka shëtitur mbrëmë në Tiranë ka parë dekorin festiv që lajmëron festat e fundvitit.

Një larmi arabeskash varen e zbukurojnë tërë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke i dhënë një ngjyrë të verdhë të artë dhe të kuqe natën.

Por, pas dekorimit të bulevardit, mbrëmë janë ndezur edhe dritat në bredhin e madh të Krishtlindjes i vendosur në sheshin “Skënderbej”.

Tirana ka nisur të presë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Kishte shumë vite që kryeqyteti ishte i zymtë në ditët e dhjetorit, në pritje që festa të niste vetvetiu, duke mos na dhënë asnjë atmosferë festive përgjatë muajit të fundit të vitit.

Ishte vetë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ndezësi i dritave të festave të fundvitit, me thirrjen që kryeqyteti të jetë vendi ku mund të festojnë të gjithë.

I shoqëruar nga vajza e tij e madhe, Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit, ata ndezën së bashku dritat e kuqe e të verdha të pemës së Krishtlindjes, e lartë 14 metra, nën flokët e improvizuar të borës së parë.

Nën tingujt e muzikës festive të korit të Liceut Artistik, janë ndezur dorazi si me magji të gjitha dritat e kryeqytetit përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke i dhënë një pamje festive në perspektivë.

Kryebashkiaku Basha garantoi se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin, pasi janë parashikuar një sërë aktivitetesh, që do të gëzojnë shijet e të gjitha grupmoshave në ditnatën e madhe të ndërrimit të viteve.

Ja si do të shprehej kryebashkiaku Basha mbrëmë: “Sot ne ndezim bredhin festiv të fundvitit dhe dritat në rrugët kryesore të qytetit tonë sepse po vjen Viti i Ri. Festat e fundvitit na bashkojnë ne të gjithëve çdo vit. Edhe këtë vit, ne në qytetin e Tiranës do të zhvillojmë shumë aktivitete që çdo fëmijë ta ndiejë sado pak përpjekjen modeste të Bashkisë së Tiranës, qytetit të Tiranës, qytetarëve të Tiranës, për të pasur festa sa më të lumtura. Ne kemi një program festiv të cilin e nisim sot, me ndezjen e dritave të të gjithë dekoreve në sheshin kryesor e në bolevard dhe në shumë rrugë të tjera. Do të kemi koncerte të vogla e të mëdha, do të kemi kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anë e mbanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë të rriturit kemi organizuar aktivitete të tjera artistike social kulturore që fryma e festave të fundvitit të ndihet anë e mbanë qytetit tonë. Do të fillojmë sot por do ta vazhdojmë gjatë gjithë muajit. Do t’u urojmë të gjithë vogëlushëve të Tiranës, qytetarëve të Tiranës dhe gjithë qytetarëve anë e mbanë Shqipërisë, Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”, tha Basha.

Dhe nuk do të mungojnë në këtë fundvit as dhuratat, që aq shumë i presim, jo vetëm vogëlushët, por edhe të rriturit.

A ka gjë më të bukur se një mori dhuratash për të gjithë në pemën e Krishtlindjes?

Festat e Fundvitit po afrojnë..., me shpresën që të jenë të ndritshme dhe plot begati...

mit/NOA

KOMENTE