English

Topi: Mungesa e Ramës në Kuvend, anomali

Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA – Presidenti i republikës, Bamir Topi deklaroi sot se, konsensusi mes partive politike për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me 3/5, është një hap shumë i rëndësishëm, por jo mjaftueshëm për përmbushjen e aspiratave integruese të vendit. Gjatë emisionit “5 pyetjet nga Babaramo”, Topi tha se, mungesa e vullneti i ka mbajtur palët jashtë dialogut.

“Besoj së dialogu mes palëve është një hap i rëndësishëm drejt asaj që ne kërkojmë, por nuk është i mjaftueshëm. Ekzistojnë kushte të tjera që duhen plotësuar, të cilat janë bërë shpesh publike. Bashkëpunimi duhet të jetë i plotë dhe dinjitoz, pasi përbën garanci për qytetarët e partnerët dhe është vendimtare për marrjen e statusit kandidat. Sa i takon Kodit të ri ai duhet të jetë për transparencën”, tha presidenti.

KQZ të rrijë larg politikës”

Presidenti Topi pyetjes së ndryshimeve në kod që përjashtuan rolin e tij në zgjedhjet e Komisionit Zgjedhor, u shpreh se kreu i shteti nuk duhet të ndërhyjë në këtë cështje. Apeli i Topit për politikën ishte largimi i politikës nga KQZ. “Presidenti ka pozicionin e tij kushtetues, unë nuk mund të jem interfereues në këtë proces. Apeli im është se ky komision duhet të largohet nga politika, të jenë njerëz që prodhojnë dije, të punojnë më shumë me prefesionalizëm. Problemet vijnë nga subjektivizmi”, tha kreu i shtetit.

Si është menaxhuar situata ekonomike?

“Do të donim të shikonim një debat politik me terma ekonomikë. Për fat të keq nuk i kemi parë këto, zakonisht në parlamente ka kryeministra që dalin ekspozojnë projektet e tyre. Ka një lloj anomalie në Kuvend, që kreu i opozitës nuk është në Kuvend, mëgjithatë dëgjojmë edhe pretendimet e opozitës. Pra, ka kakofoni dhe nuk është një debat komod kur gjithkush flet për gjithçka. Kujdesi në këto kohë duhet të jetë i jashtëzakonshëm. Më shumë se sa thjesht bizneset është e rëndësishme gjendja ekonomike e shqiptarëve”, tha Topi lidhur me debatin e fundit për krizën financiare.

Buxheti 2012 dhe institucionet shqiptare

Kreu i shtetit tha se shkurtimi i shpenzimeve për disa prej institucioneve nuk ka prekur funksionet bazë të tyre.

“Por, besoj se duhet të jetë në koshiencë e disa drejtuesve që disa gjëra nuk duhet të preken. Dua të siguroj se sikundër, e thotë ligji nuk ka institucione në varësi të presidencës”, deklaroi presidenti Topi.

a.q/NOA

KOMENTE