Prishtinë, 6 dhjetor 2011, NOA – Dy vendkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për të cilat u tensionua edhe situata në veri të Kosovës, nuk do të jenë të njëjta me pikat e tjera kufitare me Serbinë, ashtu siç pretendon Qeveria e Kosovës.
Prezenca e zyrtarëve kosovarë në këto pikëkalime do të jetë simbolike dhe ata do të kenë vetëm rol vëzhgues, bëjnë të ditur burime të gazetës “Koha Ditore” në Kosovë. Sipas burimeve, edhe pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel për menaxhimin e integruar të kufirit, Qeveria e Kosovës ka marrë për obligim që të respektojë një marrëveshje të bërë me KFOR-in dhe EULEX-in, më 9 shtator.
Marrëveshja që pati mundësuar vendosjen e doganierëve kosovarë nga ana e KFOR-it dhe EULEX-it, parasheh që Kosova në të dyja pikëkalimet të ketë vetëm nga tre zyrtarë: nga një përgjegjës për pikëkalimet, nga një zyrtar policor dhe një doganier. Në dy pikat Jarinjë dhe Bërnjakë po qëndrojnë prej 16 shtatorit nga tre zyrtarë kosovarë.
Ata transportohen aty me helikopterë të KFOR-it dhe të EULEX-it, ndërsa puna e tyre është thjesht vëzhguese.
Vendosja e zyrtarëve të Kosovës në dy vendkalimet kufitare me Serbinë, pas marrëveshjes së KFOR-it dhe EULEX-it me Qeverinë e Kosovës, shkaktoi vendosjen e barrikadave nga strukturat paralele të Serbisë në veri, barrikada që ende nuk janë hequr edhe pas marrëveshjes mes dy vendeve në Bruksel, shkruan “Koha Ditore”.
NOA