Tiranë, 6 dhjetor 2011, NOA- Në forumin e 3-të të Telekomunikacionit, kompania telefonike Vodafone ka marrë dy çmime, Menaxherin e Vitit për Broumidis dhe suksesin e 3G.
Viti 2011 ka qenë një vit i rëndësishëm për Vodafone Albania dhe për investimet që kompania ka realizuar për t’iu shërbyer sa më mirë klientëve të vet. Vodafone u nderua dje me dy çmime prestigjoze gjatë Forumit të 3-të Shqiptar të Telekomunikacionit InfoCom, një eveniment që nderon kompanitë novatore, shërbimet dhe produktet risi, si dhe drejtuesit e kompanive për kontributin e tyre në funksion të zhvillimit të industrisë së telekomunikacionit në Shqipëri gjatë këtij viti Vodafone Albania fitoi çmimin e Ekselencës për Biznesin 3G për investimin e kompanisë në sjelljen për herë të parë në Shqipëri të teknologjisë 3G si dhe çmimin Menaxher i Vitit për Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, Z. Haris Broumidis.
Gjatë vitit 2011 Vodafone Albania fuqizoi pozitën si lider i tregut për të ardhurat në kushtet e një mjedisi sfidues me katër operatorë të pranishëm dhe në të njëjtën kohë vijoi të jetë lider në njohjen e markës. Në vitin 2011 kompania zgjeroi më tej rrjetin e saj të shitjes dhe ofroi shumë shërbime risi përmes rrjetit modern të teknologjisë 3G.
Forumi i 3-të Shqiptar i Telekomunikacionit InfoCom u organizua nga Smart Press S.A. me mbështetjen e Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Smart Press S.A është një nga kompanitë mediatike lider në fushën e telekomunikacionit, organizatore konferencash e zotëruese e nje numri të madh faqesh interneti e revistash te fokusuara në fushën e teknologjisë së informacionit.
a.y/NOA