English

Arvizu i dorëzon Vodafone Albania çmimin e Filantropisë së Biznesit 2011

Tiranë, 7 Dhjetor 2011 NOA - Vodafone Albania tashmë është një biznes i mirënjohur jo vetëm për shërbimet e telekomunikimeve celulare por edhe për kontributet e rëndësishme kundrejt individëve dhe kategorive sociale në nevojë përmes projekteve të përgjegjshmërisë sociale të realizuara përmes Fondacionit Vodafone Albania në mbarë Shqipërinë.

Sonte gjatë Mbrëmjes Gala të dhënies së çmimeve vjetore të filantropisë, organizuar nga Partners Albania me mbështetjen e Fondacionit Rockefeller Brothers, Kompanisë Vodafone Albania iu akordua çmimi i Filantropisë së Biznesit nën kategorinë “Kontributi me i mire në nivel kombëtar”.

Çmimi për Vodafone u dorëzua nga ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu. Duke marrë çmimin, Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania Haris Broumidis vlerësoi organizatorët për nismën e tyre të identifikimit dhe nxitjes së përpjekjeve filantropike.

Po ashtu, ai falënderoi partnerët me të cilët Vodafone bashkëpunon në realizimin e projekteve me ndikim social.

Z Broumidis premtoi se kompania e tij do të vijojë të mbështesë projekte sociale që synojnë krijimin e një shoqërie më të mirë.

Kompania Vodafone përmes Fondacionit Vodafone Albania dedikon çdo vit rreth ½ milionë euro në projektet që synojnë të gjenerojnë ndikim social duke iu ardhur në ndihmë personave dhe komuniteteve në nevojë, fëmijëve me nevoja speciale, trajtimit të çështjeve të përjashtimit social të grupeve në dizavantazh dhe shumë projektesh të tjera.

e.t/NOA

Lexoni gjithashtu: Vodafone merr dy çmime, Menaxherin e Vitit për Broumidis dhe suksesin e 3G

KOMENTE