Nga Migjen Kelemendi
Me nji vonesë e lexova nji opinion të Mustafa Nanos lidhun me stereotipet, bindjet e afinitetet e kosovarëve për liderët politikë si Sali Berisha dhe Edi Rama.
Nano para nji kohe ishte për nji vizitë në Prishtine, dhe gjatë nji ndeje në kafen e Fadilit, si zakonisht u hapën llafet e liderëve dhe të politikave. Aty, në kafe, njashtu si Nano ma kërkoi me e përsëritë edhe në nji emision të RTKsë pak ma vonë, ia tregova nji anekdotë që unë e kisha ekstraktue nga opinionet dominante në Kosove sa i takon Sali Berishës dhe Edi Ramës, e që i kisha edhe nga opinionet dhe anketat e bame nga Televizioni Rrokum.
Anekdota që ja tregova nuk sjellte opinionet e mia për këta liderë, si e kishte keqinterpretue Nano në artikullin e tij (bile kishte guxue edhe me e fut në thojza – siç!), po përmes asaj anekdote mundohesha me ja ba ma të afërt stereotipin dominant për të dy këto figura të politikës shqiptare në Kosovë.
Gjatë tanë asaj kohe, ku ishin prezentë edhe shumë miq tjerë për ta vërtetue, ne ishin vetëm-dhe-vetëm në domenin e stereotipizimeve dhe hajgareve, e jo të qëndrimeve të mia. Anekdotën që ia kisha tregue dhe këto fjalë që Nano m'i adreson mue, janë shumë-shumë të largëta mes vete, por kanë esencën e paragjykimit të rrokun. Se çka mendoj dhe si mendoj për këto figura, unë besoj se opinioni publik në Kosove e din, sepse janë publike dhe me nji Google’im të shpejtë merren vesh. (Nuk e kisha përjashtue se ky keqinterpretim dhe keqadresim i nji anekdote nga ana e Mustafa Nanos asht nji pasojë e largët e vendimeve të Kongresit '72. Nuk e ka kuptue Gegnishten teme:)
Nano, me sa lexova, e kishte rrok kuptimin e atij stereotipi që e ban Sali Berishën ma të afërt me kosovarët, dhe po e shpjegonte mirë në artikull (edhe pse të thjeshtueme nga ajo që kisha kallxue unë). Por, atë që e kishte huq me ka krejt, asht se ai stereotip asht i jemi (sic!).
Anekdota, mendova, i ndihmon Nanos me e kuptue se afiniteti dhe adhurimi që nji pjesë e madhe e kosovarëve e ka për Sali Berishën nuk buron vetëm nga miqësia e dikurshme e zotit Ibrahim Rugova me zotin Sali Berisha, po edhe nga fakti se zoti Berisha asht i afërt me shqiptarët e Kosovës edhe për nga prejardhja, nga gjuha, nga feja, ose si kishte me thanë Halil Matoshi - nga etosi. Nga opinionet e qytetarëve, të cilat i kishte emitue edhe Rrokum.TV para vizitës së fundit të Sali Berishës në Kosovë, kuptohej se kosovarët e konsideronin Sali Berishën – "i joni", "i Malësisë së Gjakovës", "kryeministër i shqiptarëve", "shqiptar pernime", përkundër atyne "shqiptarëve permahi" prej Jugu.
“Ai nuk asht Sali Berisha, po Sali RAME Berisha”, tha nji qytetar i anketuem nga gazetari i Televizionit Rrokum gjatë kohës së vizitës së fundit të Berishës në Kosovë, ku ai e vente theksin në RAME. “Asht i anëve tona, asht i biri i Ramës…i fisit Berisha…”, të cilin ai me gjasë e njihte, ose e njihte familjen dhe e bante me e përjetue Sali Berishën si të vetin. Ndërsa Kosova ishte moti e familjarizueme me nji stereotip tjetër për socialistët e Shqipnisë që propagonte gjatë viteve ‘90 gazeta “Bota sot”, ku socialistët talleshin si KUKU-LELE-NANO-MAJKO-FINO, si shkruente dhe botonte opinione dikur gazeta “Bota Sot”. Socialistët dukeshin – "të huej", "grekë", "komunisëa", "sllavë"…ose si i quante gazeta: "sllavo-ortodokso-komunistë"! Këndej duhet me e lypë shpjegimin pse kosovarët dhe Sali Berisha kur emnojnë zotin Rama, i thonë - Edvin KRISTAQ Rama - me theks në "KRISTAQ".
Anekdotën ia tregova Mustafës sa me ja ba ma të rrokshëm stereotipin dominant për “jugorët”, “toskët”, “socialistët”, “komunistët” (a thue se Berisha s’ishte komunist dikur!), në mënyrë që në emisionin ku kishim me qenë bashkë, të hapim muhabetet për relacionet dhe diskrecionet tona Prishtinë-Tiranë.
Nuk isha entuziazmue shumë-shumë me këtë vizitë të Edi Ramës në Prishtinë. Ende distanca mes Prishtinës dhe Tiranës asht e madhe dhe e mbushun me stereotipe e paragjykime. A s'po e vërteton këtë edhe ky keqadresim dhe thjeshtim i nji anekdote...
Nëse ju duket se po afrohemi sepse...që...do prej Prishtine po promovojnë libra në Tiranë (Maliqi), e do prej Tiranë në Prishtine (Rama), le të mos e harrojmë nji fakt të ftoftë: se Spin Doctor i këtij afrimi asht - Baton Haxhiu. Hiqe Batonin, s'ka as promovime, as afri. Ka vetëm distancë, manipulime e keqkuptime të cilat, emisionet si ai i RTK-së ku ishim bashkë me Nanon, e kanë për qellim me i tejkalue dhe me i sqarue.
Mustafa Nano e ka rrok stereotipin, por e ka huq adresën! Nuk asht opinion i jemi.
“Mapo”