English

Parashikimi i motit për 8 dhjetor 2011

Tiranë, 7 dhjetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, nesër, parashikohet të ketë përmirësim të kushteve atmosferike duke bërë që kthjellimet të jenë dominuese në të gjithë vendin përjashtuar ekstremin verior ku do të ketë vranësira dhe shira të izoluar. Në kushtet e motit të kthjellët do të jemi edhe gjatë orëve të mesditës por vranësirat do të jenë të pranishme.

Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime dhe vranësira kalimtare në zonat e ulëta dhe bregdetare duke lënë me vranësira më të dendura zonat malore përgjatë kufirit lindor. Sërish në ekstremin verior dhe verilindje do të ketë reshje të izoluara shiu e dëbore. Në mbrëmje dhe gjatë natës i gjithë vendi do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të lehta.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme në vlerat minimale duke i bërë mëngjeset më të ftohta por mesdita do të ketë një rënie të lehtë të tyre.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me 35 km/h dhe drejtim verilindor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të jetë 2 ballë.

Europa

Nesër, Europa Veriperëndimore dhe vendet e Balltikut do të jenë me vranësira, shira si edhe reshje të pakta dëbore. Konkretisht në ishujt britanike reshjet do të jenë në formë rrebeshi duke u shoqëruar me stuhi të forta ere dhe shkarkesa rrufesh. Mot i paqëndrueshëm me vranësira dhe shira do të jenë edhe në Europën Qendrore si edhe një pjesë të Mesdheut por intensiteti i reshjeve do të jetë i ulët. Reshje të dendura dëbore do të bien në Suedi dhe Norvegji gjatë gjithë ditës. Krejt ndryshe paraqitet situata në jugperëndim dhe Lindje të kontinentit ku moti i kthjellët do të jetë mbizotërues.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Vendet Nordike do të mbeten me dëborë të dendur dhe erë të fortë

- Vendet e Balltikut rrezikohen nga reshje shiu dhe dëborë

- Zona e Alpeve do të ketë reshje të dendura dëbore

a.y/NOA

KOMENTE