Tirana dhe unë si kryetar bashkie jemi krenarë që numri i studentëve me rezultate maksimale, numri i studentëve të ekselencës, sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Po kështu rriten edhe sfidat tona
Nga Lulzim Basha
E them pa pikë ngurrimi, megjithëse rrezikoj të kem disa qejfmbetje në aktivitetet e shumta për sot apo nesër, por sot kjo është audienca më e mirë për një kryetar Bashkie. Ndaj dhe unë ndihem i privilegjuar të jem i ftuar në këtë ceremoni, në ditën e ekselencës, ditën që promovon studentët më të mirë të Universitetit të Tiranës.
84 studentët me medalje ari janë një aset i vyer për botën akademike, por edhe për qytetin.
Tirana dhe unë si kryetar bashkie jemi krenarë që numri i studentëve me rezultate maksimale, numri i studentëve të ekselencës, sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Po kështu rriten edhe sfidat tona.
Unë jam i prirur që prapa çdo sfide të shoh një mundësi, një shans, dhe jam më i inkurajuar që për përballimin e sfidave në qytetin tonë, sot na shtohen parnerë të rinj dhe të rëndësishëm si dhe gjithë ju këtu, teksa bëhemi gati të marrim përgjegjësi dhe për të ushtruar profesionin tuaj në shërbim të shoqërisë dhe progresit. Bashkia e Tiranës ka një marrëdhënie të veçantë me Universitetin e Tiranës. Dy profesorë të këtij universiteti, që ndodhen sot në mesin tuaj, janë dy nënkryetarët e Bashkisë.
Dy anëtarë të Këshillit, vetë Rektori i universitetit dhe profesor Rrokaj janë po kështu anëtarë të këtij universiteti të nderuar. Roli i Universitetit në jetën e qytetit do të vijë duke u rritur. Roli i Bashkisë së Tiranës në promovimin e vlerave ku ju zëni vend parësor, po kështu do të vijë duke u rritur. Përfitoj nga prania e dy profesorëve të nderuar, anëtarë të këshillit, dhe shpreh besimin tim se pas dy javësh Këshilli Bashkiak do të miratojë propozimin tim, për buxhetin e vitit 2012, ku Bashkia e Tiranës do të ngrejë një fond për praktikën e studentëve pas mbarimit të shkollës.
Ky fond do të jetë nga burimet tona, të paktën 1 milionë euro, por unë pres me besim se kjo shumë do të dyfishohet dhe trifishohet nga pjesëmarrja i institucioneve të tjera. Praktika, siç kam premtuar, do të jetë stacion kalimi drejt punësimit të profesionistëve të rinj që dalin nga auditorët e universiteteve.
Në këtë kuadër jam i lumtur të ndaj me ju sot vendimin për të mundësuar për të gjithë ju 84 studentët e diplomuar sot, një stazh me pagesë në Bashkinë e Tiranës, institucione të tjera publike, në sektorin privat duke filluar nga java e parë e Janarit.
Duke bërë këtë nuk bëjmë gjë tjetër veçse përmbushim rolin tonë si një faktor aktiv për të lidhur nevojat dinamike në tregun e Tiranës dhe ekonomisë së Tiranës për profesionistët e rinj, të mirëkualifikuar. Në rastin tuaj kam besim se kjo nuk do të jetë një punë e vështirë pasi të gjithë punëdhënësit, biznese apo institucionet, duke nisur me Bashkinë e Tiranës, janë të gatshëm të ftojnë më të mirët në fushën e tyre.
Për Bashkinë e Tiranës ka dhe do të ketë një rritje të ndjeshmërisë për studentët në përgjithësi. Ne kemi në proces përgatitjen e kartës së studentit dhe përfitoj nga rasti t’i ftoj të gjithë rektorët e universiteteve të Tiranës të sjellin listat e studentëve që do të përfitojnë nga kjo kartë privilegjesh dhe krijimi lehtësirash.
Një linjë e re e transportit urban nga qendra drejt qytetit studenti, është një projekt që Bashkia do të realizojë nga Janari, për të lehtësuar qarkullimin në jetën e përditshme të studentëve.
Sot është edhe një ditë e veçantë në historinë tonë dhe historinë e studentëve në veçanti. 21 vite më parë, pikërisht nga ky vend, nisi jetësimi i ëndrrës sonë për t’i dhënë fund diktaturës më të egër në Europës dhe për të instaluar në vend sistemin demokratik pluralist.
Plot 21 vjet më parë kjo ka qenë një ndërtesë fare ndryshe por atëherë sikundër edhe sot, sot sikundër edhe atëherë, ky mbetet vendi nga nisi rrugëtimi, shpresa, dhe e ardhmja e qytetit tonë, shoqërisë sonë dhe kombit tonë.