Nga Artan Fuga
Jo vetëm koncepte që janë shënjuar me të njëjtat terma, por që përgjatë historisë së shkencave apo të gjuhës në përgjithësi kanë pasur një përmbajtje semantike të ndryshme nga njëri-tjetri, por edhe ngjarje apo procese ekonomike, politike, sociale, që në histori duken se përsëriten, në pjesën më të madhe të tyre nuk janë asnjëherë e njëjta gjë.
E tillë është edhe kriza ekonomike që shfaqet edhe në vështirësitë e agjencive financiare të botës së sotme të zhvilluar, pra të bankave si shtyllat e ekonomisë botërore. Jo rrallë, edhe në debatet tona publike dhe mediatike, shprehet se kriza po përsëritet, sikurse ka ndodhur në Europë në shekullin e 12-të, 14-të apo edhe më pas, apo sikurse ka ndodhur me krizat e prodhimit në shekullin e 19-të apo të 20-të, që ndikuan fort në ardhjen e regjimeve autoritare dhe luftërave botërore shkatërrimtare.
Sado që termi “krizë financiare” mund të mbetet i njëjtë nëpër shekuj, apo termi tjetër “falimentim bankar” gjithashtu mund të mbetet i njëjtë përgjatë historisë, proceset që këto terma shënjojnë nuk janë të njëjtë.
Të ngatërrosh terminologjinë me përmbajtjen reale që kjo terminologji shënjon, do të thotë të vështirësosh kuptimin e historisë, të mos dallosh dot etapat historike nga njëra-tjetra, dhe sikurse theksonte një filozof i shekullit të njëzetë, do të thotë, në fund të fundit, që e sotmja të thjeshtëzohet tek e djeshmja, e djeshmja tek e pardjeshmja dhe kështu nëpërmjet një procesi të pafund thjeshtimesh të arrihet në një pikë origjine dhe prej andej të mos lëvizet më. Historia dhe evolucioni i shoqërisë në këtë mënyrë humbasin kuptimin e vet dhe shkencat shoqërore e humane do të vepronin në këtë rast si dije të falsifikuara, të ngurtësuara, pa jetë, dhe pa arritur të njohin specifikat e çdo etape të evolucionit historik.
Edhe në periudhën midis shekujve 12-të dhe 15-të sigurisht kishte falimentime bankare. Sikurse tregojnë historianët e ekonomisë të asaj periudhe, herë pas here banka të ndryshme europiane kanë falimentuar. Por, ai falimentim vinte si një marrëdhënie shpeshherë jo e natyrshme midis bankave dhe pushteteve publike, në radhë të parë e monarkëve absolutë apo e republikave të korruptuara. Pushtetet politike merrnin hua te bankat edhe duke ushtruar një presion force të dhunshme mbi to. Këto huara iu janë dashur për arsye nga më të ndryshme. Për të bërë luftëra të gjata, për të mbuluar shpenzimet e oborrit, për të financuar fushata armatimesh etj. Por, jo gjithmonë kanë pasur mundësitë për t’i kënaqur interesat bankare apo për të shlyer borxhin. Askush nuk e detyronte fundi i fundit një pushtet të kohës ta shlyente kredinë e marrë. Historia e asaj kohe njeh shumë raste kur mbreti, perandori, princi, në pamundësi për t’i shlyer financiarit, bankierit, huanë e marrë, e ndëshkonin me burgim apo me sekuestrim këtë të fundit, ose zhvleftësonin monedhën për të ulur artificialisht masën e borxhit të tyre.
Në letrat e Ciceronit dëshmohet se borxhlinjtë e fuqishëm, për t’i shpëtuar detyrimit të tyre provokonin gjatë historisë së Romës edhe revolta, rrëmujëra sociale, kriza politike, revolucione apo edhe përbetime me pasoja të përgjakshme. Ideja ishte që pas të tilla krizave dhe përmbysjeve politike, pushteti i ri të mos njihte më detyrimet që borxhlinjtë kishin te huadhënësit.
Me një fjalë, në rastet më të njohura të asaj kohe, ai që quhej falimentim bankar, kishte një kuptim krejt tjetër, një përmbajtje tjetër, nga vështirësitë e sotme financiare që njohin agjencitë bankare në ditët tona. Midis tyre ka një ndryshim rrënjësor. Ndërsa i pari kryhej në një periudhë ku ekonomia dhe financat nuk kishin autonomi vepruese ndaj pushteteve arbitrare politike, pra, në një farë mënyre ekonomia dhe financat ishin një nën-sistem brenda sistemit të madh socio-politik të shoqërisë, kriza e sotme financiare ka zënë vend në kuadrin e një shoqërie ku ekonomia, financat, politika, kultura, pra të gjitha fushat e shoqërisë bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, por gjithmonë pa hierarkitë e dikurshme ku njëri prej aktiviteteve të cituar të përfshinte si elemente të varura krejtësisht prej tij të tjerat.
Nëse më parë kriza financiare ishte më së shumti edhe një fenomen tensioni mes pushteteve politike dhe agjencive bankare private, tanimë kriza financiare ka shkaqe dhe vjen nga çekuilibrime krejt të tjera. Ne mund të përdorim me legjitimitet të njëjtin term “krizë bankare” si për shekujt e mëparshëm të historisë ashtu edhe për situatën e sotme financiare, por veç faktit që kemi përdorur të njëjtin term, lexuesi duhet të mbajë mirë parasysh se ai nuk shënjon aspak të njëjtën dukuri ekonomike dhe financiare si edhe më parë.
Po kështu është e pamundur të vendosen shenjat e barazimit midis krizës financiare të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar dhe krizës së sotme financiare, ndonëse për t’i shënjuar mund të përdorim të njëjtat terma. Termat mund të jenë të njëjtë, proceset që ata shënjojnë janë të ndryshëm.
Mbi të gjitha, ne sot kemi tri rrethana krejt specifike në krahasim me më parë, çka bëjnë që konjuktura e sotme të mos mund të mbivendoset me atë që ekzistonte në të kaluarën.
Së pari, jetojmë në kushtet e ekonomisë globale dhe jo në atë të tregjeve kombëtare.
Së dyti, kemi një shoqëri të borxhit masiv, në të cilin janë futur edhe shtresa të gjera të konsumatorëve të thjeshtë, veç sipërmarrjeve ekonomike dhe pushteteve publike.
Së treti, kemi një krizë të modelit të shoqërisë së shërbimeve dhe jo thjesht atë të një shoqërie industriale të dikurshme.
Mark Bloch në librin e tij La Société Féodale, na jep një shembull analize, e cila ka lidhje me problemin e cituar më sipër. Kuptimi shoqëror i një dukurie mund të ndryshojë nga koha në kohë, ndonëse duket sikur flasim për të njëjtin kontekst historik.
Pa mohuar aspektet psikologjike dhe fetare të dukurisë së mikpritjes, apo faktin që në të gjithë popujt ajo ka bërë pjesë në kodin moral të shoqërive të ndryshme, përsëri, ai e lidh këtë dukuri edhe me kushtet ekonomike në të cilën ajo është strukturuar.
Tjetër specifika ka mikpritja, sipas Mark Bloch, në shoqëritë tradicionale, agrare, rurale, jo fort të zhvilluara teknikisht, atje ku marrëdhënia mall-parà është e pazhvilluar sa duhet, dhe ekonomia është e mbyllur brenda kufijve të vet natyralë, si një ekonomi shkëmbimesh në natyrë, dhe tjetër natyrë ka mikpritja në shoqëritë e sotme, ku paraja është në qendër të të gjitha marrëdhënieve ekonomike, kur hapësirat urbane janë bërë mbizotëruese dhe lidhjet sociale apo familjare janë integruar brenda një ekonomie globale, të hapur, dhe ku ekonomia e mbyllur familjare ka pësuar një proces të rëndësishëm zbehjeje.
Mikpritja, ndihmesa ndaj të varfrit në një marrëdhënie individuale të njeriut me njeriun, bujaria, fundja edhe lëmosha, ishin më të lehta në shoqëritë e modelit të parë sesa në shoqëritë e modelit të dytë, thekson Mark Bloch. Tjetër funksion dhe në të tjera logjika shoqërore strukturoheshin në histori këto marrëdhënie dhe ndryshe funksionojnë sot. E theksojmë edhe një herë se këtu nuk është fjala për të anashkaluar aspektet e kodeve morale apo psikologjike të kulturave të ndryshme. Është fjala për të zbuluar lidhje mes tyre dhe modeleve të funksionimit të ekonomisë.
Në shoqëritë rurale, agrare, tradicionale, të mbyllura, ku marrëdhëniet mall – parà janë të pazhvilluara, përgjithësisht rezultatet e prodhimit duhet të konsumohen brenda familjes, e shumta brenda klanit, në një shkëmbim brenda fshatit, e shumta brenda një zone relativisht të ngushtë gjeografike. Përgjithësisht pra, si një shkëmbim mall me mall. Në këtë mënyrë, meqë konsumi vetjak ka gjithsesi një farë kufizimi, përtej të cilit, në rrethana të caktuara pronësie, vjen mbingopja, në burime të ndryshme produktesh bujqësore, blegtorale, etj., krijohet një tepricë relative mallrash, e cila as nuk mund të shitet dhe as nuk mund të konsumohet nga pronari i tyre.
Krijohet kështu baza ekonomike për mikpritje, për solidaritet me më të varfrin, për një rishpërndarje mbi baza altruiste të një pjese të prodhimit, e cila në rast se nuk rishpërndahet në këtë mënyrë rrezikon të shkojë dëm.
Mark Bloch argumenton kështu se shpesh, edhe kur në shkenca humane dhe shoqërore kërkohen të nxirren specifikat e një epoke nga një tjetër, ato nuk arrijnë të shpjegohen në mënyrë të arsyeshme. Për shembull, shpesh dëgjohen konsiderata, të cilat nga opinioni publik hyjnë edhe në trajtesa që mbahen si të shkencave sociale dhe humane, sipas të cilave “njeriu tani u prish”, “tani askush nuk e ndihmon më të varfrin”, “njeriu është bërë egoist” etj. Shpesh iu këndohen himne vetëm traditave të së kaluarës, ku mikpritja, bujaria, solidariteti reciprok, ishin vlera morale qendrore dhe shpesh të spikatura dhe qahet mbi “degjenerimin moral” të njeriut të sotëm.
Harrohet, sikurse thekson edhe Georg Simmel në librin e tij mbi filozofinë e parasë, se njeriu i dikurshëm vepronte racionalisht, por brenda një shoqërie tradicionale, ruralo-agrare, të mbyllur, shkëmbimesh ekonomike kryesisht mall me mall, kurse individi i sotëm jeton dhe mbijeton në një shoqëri ku gjithçka kthehet në parà, brenda një shoqërie shkëmbimesh financiare globale në kuadrin e një shoqërie të hapur.
Në të parën, shprehet Simmel, pas një caku pasurie të caktuar, tepronin produkte që nuk mund të shkonin në treg, as të konsumoheshin prej zotëruesit të tyre. Ato, fare mirë, duke u rishpërndarë falas jepnin mundësi për t’u kthyer në investim moral, fetar, politik nga ana e aktorit lokal individual, nëpërmjet moralit të ndihmës, bujarisë dhe mikpritjes. Kodi i mikpritjes ishte shkruar veç në zakonet morale, edhe në mënyrën e funksionimit të ekonomisë. Ishte pjesë e saj. Solidariteti mes individëve përbënte materialin me të cilin ngjizej lidhja sociale e kohës. Kurse individi i sotëm, jo vetëm që në një masë dërmuese nuk është fare kontrollues i flukseve të produkteve të punës së tij, por edhe kur është i tillë, asnjëherë nuk është në gjendje bollëku qoftë dhe relativ, ose nuk mund të thotë se ka teprica që nuk është në gjendje t’i shesë. Gjithçka tani kthehet në parà dhe jep mundësi për t’u rishkëmbyer në tregun e vlerave monetare apo materiale. Tepricat për individin nuk kanë më kuptim ekonomik as në rrafshin e tyre relativ dhe as në atë absolut.
Doemos, bashkë me këtë ndryshim ndodhin edhe transformime të dhimbshme në sjelljen e njeriut. Ai humbet jo pak sensin e mikpritjes sepse nuk ka më mundësi që si qytetar i mesëm të bëjë si Penelopa për të mbajtur pa fund tavolinat e banketit ku të shtrohen me muaj e vite të tërë personalitetet e lagjes apo të qytetit. Nuk ka kopshtije si të Edenit ku mund të kënaqen duke shijuar frutat e tij falas individë mëkatarë ose jo. Fiku, molla, pjeshka, limoni etj., duhet të blihen si rregull në treg. Nuk ka pastërma që duhet ta konsumojë brenda një sezoni ose duhet ta shpërndajë falas, sepse mishi sot kushton shtrenjtë në treg.
Nuk është “prishur” njeriu thjesht si një “degjenerim moral”, sikurse shpjegohen ndonjëherë këto ndryshime në sjelljen njerëzore nga epoka në epokë, por njeriu vepron në kushte ekonomike dhe shoqërore të ndryshuara, që e bëjnë të akomodohet ndryshe në periudha të ndryshme.
"Mapo"