Tiranë, 7 dhjetor 2011, NOA- Një program i titulluar “Edukimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substancat e tjera të rrezikshme” miratuar në muajin tetor ndërmjet Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë nisi të veprojë ditën e sotme.
Siç informon agjencia e lajmeve NOA.al, programi ka filluar të zhvillohet sipas një grafiku dhe do të vazhdojë deri më 15 dhjetor në 40 shkolla 9-vjeçare të Tiranës, ndërsa në të gjitha klasat e 6-ta si temë e parë do të jetë “Alkooli”.
Ditën e sotme, ky program po zhvillohet në 5 shkolla 9-vjeçare dhe konkretisht në shkollën: “Sabaudin Gabrani”; “Shkolla e Kuqe”; “1-Maji”; “Hasan Prishtina” dhe “Siri Kodra”, ndërsa në datën 9 dhjetor ky program do të vazhdojë ne shkollat “Fan Noli”; “Dhori Leka”; “Emin Duraku”; “Avni Rustemi” dhe “Qazim Turdiu”. Edhe java në vazhdim do të jetë çdo ditë e përfshirë me zbatimin e këtij programi.
Sakaq grupet mësimdhënëse përbëhen nga 2 punonjës policie dhe 1 mësues, të cilët së bashku do të japin instruksione mbi drogat dhe substancat e tjera të rrezikshme.
Ky program vjen, pas një vlerësimi të situatës së përdoruesve të drogave në Tiranë, dhe synon në përgatitjen dhe formimin e fëmijëve të moshave 12-13 vjeçare, të cilët kur të përballen me duhanin, alkoolin e marijuanën, të jenë në gjendje të thonë “Jo drogave dhe substancave të tjera të rrezikshme”.
a.y/NOA