English

Skandal në Holandë, emigrantët flaken nga vendi nëse humbin një lojë televizive

Tiranë, 6 Dhjetor 2011 NOA/ Rid Bulku – Nuk mjafton që emigrantët duhet të vuajnë faktin se dëbohen nga vendi dhe riatdhesohen përkundër dëshirës së tyre, por duhet të vuajnë dyfish duke iu nënshtruar fatit të një loje televizive, ku futen me shpresën se dëbimi i tyre do të rrëzohet.

Kjo po ndodh në Holandë ku televizioni VPRO fiton audiencë të gjerë me këtë tele-lojë ku janë përfshirë emigrantë nga vende të ndryshme të botës përfshirë dhe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Mediat holandeze po e cilësojnë këtë show si loja që të dhuron... dëbimin.

“Larg nga Holanda” (“Far from the Netherlands”) quhet emisioni televiziv që po transmetohet në kanalin VPRO. Protagonistë janë emigrantë të moshës nga 15 deri 24 vjeç. Ata janë të gjithë, shtetas të huaj, emigrantë, të cilët kanë aplikuar pranë autoriteteve shtetërore të Holandës për azil dhe nuk e kanë fituar, e janë në pritje të dëbimit.

Moderatori i emisionit u bën emigrantëve pyetje për historinë e Holandës. I pyet për vende të ndryshme historike, për gjuhën holandishte, për mbretërinë dhe për kulturën holandeze.

Fituesi i kësaj loje televizive, merr 4 mijë euro. Por edhe pse fitues, ai do të dëbohet nga vendi. Dhe rregullat e lojës përcaktojnë se ai do t’i marrë këto para vetëm nëse provon se do të kthehet në vendlindjen e tij.

“Me këtë emision ne kërkojmë të sfidojmë”, pretendon Frank Wiering, kryeredaktor i televizionit VPRO dhe redaktor i këtij emisioni, duke pranuar që ky emision është "në kufijtë e një mungese respekti”.

Në komentet e tij, drejtori i VPRO, Frank Wiering, tha se ai ishte shumë skeptik kur ideja u soll fillimisht për aprovim para tij. "Reagimi im i parë ishte: Ide e tmerrshme, ne nuk duhet ta realizojmë këtë. Por pastaj unë e pashë këtë çështje më në thellësi dhe vendosa se ne duhet të bëjmë këtë”.

r.b/NOA

KOMENTE
  • Asterio Asterio02:03 - 07 Dhjetor 2011
    po pse nuk hapni nje loje ne Al te till se qenka sh nice?