English

0 korrupsion premtimi, 95 realizimi!

Nga Prec Zogaj

Shqipëria humbi këtë vit tetë shkallë në renditjen botërore të Transparency International për përhapjen e korrupsionit. Aktualisht jemi në vendin e nëntëdhjetë e pestë, të fundit në Europë. Njoftimi në fjalë u publikua nga shumica e mediave, por kaloi pa ndonjë jehonë të veçantë, si një gjë që e prisnin të gjithë: qeveria, opozita, opinioni publik.

Në mungesë të ndonjë reflektimi autokritik dhe të ndonjë faqeje të skuqur nga turpi në radhët e shumicës qeverisëse, mund të mendojmë se kryeministri Berisha dhe qeveria e tij ndihen të kënaqur që kemi humbur vetëm 8 pozicione dhe jo më shumë. Se mund të kishin humbur dyfishin me skandalet që kanë ndodhur dhe prapë nuk do të kishte kush gojë të ngrinte zërin për padrejtësi.

Në vitin e gjashtë të qeverisë në fuqi, vendi ka hyrë në regjimin e të lëshuarit pa duar, kur jo vetëm peshqit e mëdhenj, por edhe mesatarët e të vegjlit po turren të rrëmbejnë çfarë mund të rrëmbehet nën mbrojtjen e sigurt të interesit politik të partisë në pushtet, e cila, për të evituar rënien e lirë në zgjedhje, nuk ka nevojë për imazh dhe bilanc, siç predikon literatura, por për nëpunës të korruptuar, biznesmenë të lidhur në afera klienteliste dhe para. Në këto kushte, për sa i përket korrupsionit, ka shumë gjasa që qeveria t’i konsiderojë si sukses ritmet e ngadalta të rënies. Kur nuk kërcënohet nga neveria dhe kundërveprimi popullor, propaganda nuk e ka problem t’i shesë hapat prapa si hapa përpara.

Opozita, nga ana e saj, mban shënim rrokullisjen, por nuk e ka parë oportune të alarmohet posaçërisht me raportin e Tranparency International, pasi ka bindjen se vendi i nëntëdhjetë e pestë, edhe pse damkosës, e zbukuron realitetin, ndërkohë që gjendja reale është shumë më e rendë dhe korrupsioni ka hedhur metastazat në gjithë piramidën e pushtetit.

Opinioni publik gjithashtu e ka pritur me “nerva” të qeta lajmin e keq. Vendi bombardohet pothuajse çdo ditë me lajme të tilla kështu që edhe ky për korrupsionin kalon si në atë këngën labe “Bir Selman i nënës kë te qaj më parë”.

Në të vërtetë, brenda njoftimit se Shqipëria rezulton të jetë sërish si vendi më i korruptuar i Europës, ka një lajm sipër lajmit, domethënë një mbilajm. Pas një ngritje të mundimshme dhe jo të pasuksesshme për të dalë nga humnera e vitit 2005, Shqipëria ka filluar të xhirojë mbrapsht. Me këto ritme të rënies, në vitin 2013 Berisha që erdhi në pushtet duke shpalosur flamurin e antikoprrupsinit, rrezikon të na kthejë në pikën e nisjes, aty ku e mori. Pas tetë vjetësh. Kjo do të ishte një nga sarkazmat e mëdha politike shqiptare.

Në fakt, edhe pse nuk jemi kthyer në pikën e nisjes, antikorrupsioni përfaqëson një prej dështimeve më të mëdha të Berishës në pushtet. Jo thjesht për pozicionin e padenjë që përmendëm më sipër, por para së gjithash, sepse ai erdhi në pushtet me këtë kartë, me kartën antikorrupsion. Shumë njerëz e kanë votuar duke ia njohur autoritarizmin, por duke besuar në ndershmërinë e tij dhe duke vlerësuar se në situatën e kalbëzimit të krijuar nga korrupsioni i ngritur në sistem duart e pastra të kryeministrit- kandidat qëndronin mbi defektet e tij prej politikani shëlbues. E pat nisur mirë, por pa kaluar dy vjet korrupsioni zuri t’ia merrte anën dhe dalëngadalë qeveria e tij pushoj se qeni zgjidhja, duke u bërë problemi. Me sulmet e njohura ndaj organeve të drejtësisë Berisha ka dhenë një kontribut të dorës së parë për ngulitjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Ka vënë në çdo rast interesat e pushtetit të tij mbi interesat e antikorrupsionit, derisa antikoprrupsioni është shndërruar në një fjalë boshe. Trajektorja e tij e deritanishme në lidhje me antikorrupsionin përfaqëson djegien e premtimit më të madh që është bërë në këtë vend për të luftuar këtë gangrenë të demokracive të reja, premtim i cili edhe nëse do të përsëritej në të njëjtat përmasa nga dikush tjetër vështirë se do të besohej më.

Por Berisha është ende kryetar i qeverisë. Ai e ka për detyrë të mbajë një qëndrim dhe të dalë me një plan për ndalimin e së keqes. Do të ishte e pashembullt që qeveria të ngrejë duart. Ka shumë kohë deri në vitin 2013. E mjaftueshme për ta çuar vendin në greminë. Apo nuk është zakon që zyrtarët e rangjeve të ndryshme t’i bien me top në vitet e fundit të mandatit të dytë. Askush nuk ka pritur që Shqipëria të ketë zero korrupsion, siç ka premtuar Berisha. E dinë të gjithë se kjo është një mënyrë të foluri për mobilizuar forcat dhe energjitë. Por, nga ana tjetër, askush nuk ka pritur e nuk pret që në përfundim të mandatit të dytë, në vend të premtimit zero korrupsion, të kemi realizimin zero hapa në luftën kundër tij.

Të xhiruarit mbrapsht në këtë luftë jetike shtron nevojën e analizave dhe qëndrimeve shumë të peshuara në lidhje me shkaqet e dukurisë dhe mundësitë reale të luftës. A është një premtim populist i opozitës që bëhet në sfondin e korruptimit të madh të qeverisë së radhës, apo është një dështim që vjen duke u thelluar përgjatë qeverisjes kur qeveritarëve të rinj fillon t’u ëmbëlsohet pushteti? Personalisht mendoj se janë të dyja. Premtimi i antikorrupsionit me anatema, përbetime apo inskenime vulgare me shembje muresh është më shumë populist se i vërtetë. Ndershmëria është vlerë, ajo shihet në punë e sipër, por nuk është garanci. Korruposinin e gjeneron sistemi dhe mjedisi. Një sistem ku arbitrariteti i mbivendoset ligjit pjell korrupsion. Një sistem ku klientelizmi u mbivendoset shanseve të barabarta pjell korrupsion. Një sistem ku mediokriteti i mbivendoset meritokracisë pjell korrupsion. Betohu sa të duash për ndershmëri . Nuk vlen.

Thellimi i korrupsionit në Shqipëri është një lajm i hidhur për të gjithë. Për opozitën është lajm i hidhur sepse, ndër të tjera, ushqen idenë e një fitoreje pa program. Opozita e sotme nuk ka rënë dhe nuk besoj se do të bjerë në këtë kurth. Duke denoncuar korrupsionin e qeverisë “Berisha” dhe të institucioneve të tjera ku ka gjetur shesh ky fenomen, opozita ka detyrimin të dalë para publikut me një projekt shumë më konkret, projekt i cili duhet të përfshijë patjetër reformën e drejtësisë.

"Shekulli"

KOMENTE