Rahovec, 8 dhjetor 2011, NOA- Katër zyrtare kanë përfunduar në prangat e policisë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit, falsifikim dokumentash dhe dhënie ryshfeti.
Burime zyrtare nga policia e Kosovës thanë për agjencinë e lajmeve NOA.al se, një denoncim anonim u bë shkak për nisjen e hetimeve, nga e cila thuhej se në Qendrën Komunale të Regjistrimit Civil në Rahovec ishte marrë një pasaportë në mënyrë të kundërligjshme.
Pas kësaj, nga veprimet e policisë rezultoi se personat e dyshuar me iniciale V.S dhe S.S zyrtarë në QKRC në Rahovec kanë bërë shpërdorim të detyrës zyrtare duke pranuar aplikimin për pasaportë pa qenë prezent personi dhe duke e lëshuar atë me autorizim të falsifikuar.
Pas kësaj mësohet se autorizimi i falsifikuar është përdorur pranë Gjykatës Komunale në Rahovec.
Sakaq i dyshuari tjetër me iniciale A.G, zyrtar administrativ në Gjykatën Komunale në Rahovec dyshohet se ka bërë shpërdorim të detyrës zyrtare duke legalizuar autorizim pa qenë prezent pala që ka dhënë autorizimin.
Ndërkaq i dyshuari me iniciale A.M dyshohet se ka kryer veprat penale mashtrim dhe dhënie të ryshfetit ku gjatë procedurës për nxjerrjen e pasaportës në bashkëveprim me të zyrtarin që i ka legalizuar dokumentin.
Po të njëjtat burime thanë për NOA.al, se pasaporta u nxor gjatë muajit gusht dhe se personi i cili do e mbante atë ishte i burgosur në Gjermani.
a.y/NOA